written by brunildas
November 9, 2021 0

Jeta ndonjëherë të detyron të shohësh përpara edhe pse pas ke lënë shpirt, ndjenja, ke lënë ditë plot diell, ajër të pastër me aromë jaseminësh, nga ato që veç vesa i ka prekur, ke lënë veten. Mu desh të shihja këtë herë, me më pak shpirt, me diell të mbuluar me re, me mjegull e ajër të ftohtë e jaseminë të paçelur.

Ti nuk e dije.

Sa herë vije nuk dukej më mjegull, dielli ngrohte e skishte lule pa aromë. I ngjaje një kënge të padëgjuar, me melodinë time të preferuar, e rreshta plot ndjenjë. Me vete sillje një jetë plot të reja, botë të bukur, në të cilën rrallë hynte dikush. Me vete merrje pak vjeshtë e më ftoje nëpër rrugë plot gjethe, sillje dimër me ftohtësinë e duarve e pranverë me buzëqeshjen që merrnin sytë e mi. Stinët mbase bëheshin bashkë, simfoni në ajër.

Në ato momente nuk dija të bëja tjetër veçse të vallëzoja e rrethuar nga pemë plot gjethe të zverdhura e të shkruaja vargjet më të bukura, të fshehura.

Shumë pak më njihje.

Tani ka kaluar kohë e ndoshta stinët janë bashkuar sërish. Ndoshta jaseminët kanë çelur më bukur, me më shumë aromë, ndoshta vjeshta të ka falur perëndime më të gjata, e dita diell më të ngrohtë.

Ndoshta tani edhe ti e din.

written by brunildas
August 2, 2021 0

Ta ruaj një orë për ty? Apo dy ose tre, një më duket pak. Po ulem te tavolina ku më sheh gjithmonë, diku në cep, ku zhurma është larg, e qielli është pranë, edhe ty të pëlqen. Po pres dhe diellin të ikë, mbetet vetëm pak dritë, mjaftueshëm për tu parë sytë.

A vjen?

Po e ruaj dhe një gotë për ty. Një buzëqeshje që dita sma njeh, një prekje, një gëzuar dhe një melodi kitareje. Po e lus dhe hënën sonte ta vonojë shfaqjen. Nuk besoj të mundesh pa ardh të rrish.

Mjaft e kam lodh veten duke imagjinu kërcimin e radhës, lulen që sma ke sjellë akoma, këngën e radhës që sma ke dediku në mëngjes, dy rreshtat unik të shpirtit tënd në prag nate e pafund mirësi nga fytyra jote.

Edhe ti e di mjaft mirë.

Zor se do rrije pa ardh sonte.

Nuk mundesh më ta lësh këtë muzg pa ja vjedh dritën, vesës pa ja ndjer prekjen, ajrit të mbrëmjes pa ja marr freskinë, e diellit pa ja vjedh rrezen e fundit. Zor se do rrije pa e vallëzu këngën e fundit sonte, pa e pi me fund gotën e pa e përcjell hënën me mua.

Vjen?

written by brunildas
July 1, 2021 0

Si mundesh të jesh kaq shumë, pa u lodhur aspak, të japësh kaq shumë, pa u menduar dy herë, të falësh paqe kur në shpirt lufton stuhi pafund, të jesh fije drite kur sytë akoma të veshin lotë?

Ti je muzë.

Je si një agim i hershëm shumë, si tokë e pashkelur mëngjesi, si një erë e lehtë, si një diell që nuk duket në horizont por që ngroh ndryshe, ngroh në shpirt, aq sa më deh e ska kthim më pas. Je si një pulitje e shpejtë sysh, që më ndryshon mendimin për jetën, ditën, natën, e çdo gjë merr formë sipas teje, unit tënd, fytyrës tënde, syve e prekjes tënde.

E ti më frymëzon, si një tablo e pastër por shumë e rrëmujshme, si zhurma e preferuar imja e dallgëve të detit natën vonë nëpër errësirën që bën luftë me hënën e verës.  Ti je 1000 rreshta që flenë në zemër e në majë të gjuhës grinden e bëhen lëmsh kur ndeshin sytë e tu. Je një melodi që bën zhurmë, një libër që rëndon, e një stuhi që më shtyn drejt resh e më zbret në tokë, ngadalë, pa mi lëshuar duart, për të nisur dhe një herë nga e para çdo gjë, e prapë kjo nuk më lodh.

Nuk kisha dashur askënd si ti, nuk kisha ditur asgjë para se të njihja ty, kisha jetuar me rrjedhën e ditës, e natën, natës i thurja rreshta, pa e ditur që diku merrte frymë frymëzimi im.

written by brunildas
May 27, 2021 1

Nuk e di se çfarë fsheh në atë shikim, nuk e di as se çfarë mendon ndërkohë që më sheh, më duket sikur njëmijë fjalë që don të mi thuash të bëhen lëmsh e ti në këmbim u vesh një buzëqeshje të lehtë, që mi verbon sytë.

A e njeh ti buzëqeshjen time?

Të kam ofruar njëmijë rrugë për të ardhur drejt meje, e shpesh e gjej veten të humbur me ty shumë larg nga këtu, në kërkim të një toke të pashkelur, me shumë ajër, e gjej veten nëpër qytete të pa vizituara, ku aroma e pemëve të vjetra na mbush me frymë. Është magjike ajo që ëndërroj ndërkohë që mundohem të zbërthej ndonjë fije mister nga ai shikim.

Unë të njoh mirë. Shikimin, sytë, buzëqeshjen. Janë unike ato që marr nga ty. Nuk janë si asgjë, rrinë fiks me shpirtin tim.

Po ti, a më njeh vallë?A ma njeh shikimin në sy? A ma njeh zërin? Po duart nëse ndeshemi në errësirë?

Kam shkruar shumë letra për ty, çdo fjalë që ti sma thua, çdo rrëfim që ti zgjedh hënën si dëgjuese, çdo këngë që e ke në mendje.

Mund të arrij të të dalloj në 100 fytyra nëpër rrëmujën e rrugëve, e njoh drejtimin tënd, rrugicat ku këmbët të shkelin, e vendet ku ti pushon mendjen. Ta njoh dhe shpirtin tënd të bukur.

Po ti, sa më njeh?

written by brunildas
May 26, 2021 0

Jo se ti e meritoje, ti nuk do e kishe kuptuar gjithsesi, por nuk dita të mbaj më inat, mërzi, apo hidhërim, nuk doja të të ngjaja ty, ne ishim ndryshe nga njëri -tjetri.

Të lejova të merrje gjithçka që mbeti nga ne, fjalë, kujtime e heshtje. Tashmë janë tuat. Mos harro, tanimë ke më shume se çfarë kishe para se të më njihje.

Unë ika larg.

U bë kohë që më nuk jam spektatore e shfaqjeve tua, e as fshehurazi nuk të ruaj nëse je i lumtur apo ndonjë hije trishtimi të ka prekur fytyrën, u bë kohë që kam ulur perdet e as nuk dua të të shoh e të më shohësh se si çdo ditë aktroj me lumturinë time, buzëqeshjen time.

U enda nëpër rrugët që dikur më zgjate duart, në errësirën e ftohtë, u enda vetëm e me shpirt të lodhur nuk kërkova më asnjë përgjigje për mijëra pikëpyetje që u bënë kryefjalë e mendimeve të mia, nuk doja më asnjë shpjegim, ndoshta ishte më mirë kështu.

U enda me këngët e mia të preferuara për të lënë gjurmë të bukura, e binda veten që grinë që le ti në çdo vend ku kaluam ta fshija, ti jepja dritë, e vetes i riktheva buzëqeshjen.

Të kam falur, ti e di tashmë shumë mirë.

Të fala sepse asnjë mërzi si rrin mirë shpirtit tim, asnjë trishtim nuk ka dhomë në zemrën time. Ti e dije këtë…

Duhet ta dije.

written by brunildas
May 25, 2021 2

Çdo mëngjes kur kam parë diell, ndër rrezet e para kam menduar si ti, të ishim bashkë. Çdo sekondë të rrugës që e kam përshkruar kam kërkuar gjurmët e tua, kam heshtur për të dëgjuar ndoshta dhe hapat, si ti, për të shtuar disa orë bashkë, mbase dhe dorë shtrënguar. Sa herë kam nuhatur aromën e kafes kam rendur duke mbajtur frymë e me buzëqeshjen në fytyrë të kam gjetur duke më kërkuar në tavolinën tonë të preferuar, si unë.

Fiks si ti dhe unë i kam veshur sytë me ngjyra të qiellit e të maleve dhe kam heshtur për pak qetësi, si tani me ty, pranë meje, në supin tënd, duke u dhënë ngjyrë ditëve të mia.

Nuk kam mundur të të them jo asnjëherë, veç shpirtin e kam lënë të lirë të vijë drejt teje. Ti mbetesh shtëpia ime e preferuar.

Ti më bën të dua me sy mbyllur, edhe atëherë kur dritë ska përreth, edhe kur qielli është me re, e dielli nuk duket gjëkundi. Ti më bën të vallëzoj pa u lodhur, pa mu vrarë këmbët, nëpër vesën e mëngjesit, me erën që rreh lehtë në fytyrë. 

Fjalët janë ndryshe për ty, nuk zënë shumë vend, janë të thjeshta por plot me shpirt midis rreshtave. Me ty jam ndryshe, nuk jam si me asnjë, me ty thjesht jam unë, dikush që kënaqet me pak diell, një copë qiell e plot me ty.

Ashtu si ti.

written by brunildas
March 26, 2021 0

Sot jam zgjuar herët, ndoshta nuk kam arrit të flej gjithë natën, sot u zgjova e mbushur në jetë, edhe njëherë me duar shtrirë drejt një përqafimi që veç fund sdua të ketë, edhe njëherë me një buzëqeshje pa arsye kur sytë më formojnë fytyrën tënde.

Sot u zgjova duke kënduar, e nëpër dhomë duke vallëzuar me hijet e rrezeve të para të diellit, nëpët tingujt e një melodie të vjetër, që këngën tonë të preferuar luan.

Po ti si je zgjuar?

Dielli im, sa ngroh një rreze jotja, kur nuk jam pranë me ty, a i sheh dhe ti po njësoj si unë pemët tek lëkunden lehtë nga era e qetë e këtij mëngjesi? A të merr malli të më kesh pranë?

Sot jam zgjuar për të ardhur drejt teje, ndryshe nga dje e ndryshe si çdo herë, sot u zgjova të të dua më shumë, kësaj here pa thurur për ty rreshta në mendje, pa u menduar për fjalën e parë, pa e menduar se ku do të shkelim.

Sot jam zgjuar të jem e lumtur. Po ti?

Më mbaj gjatë në këtë përqafim, mos mi lësho duart, mos tento të më lësh të iki, ndoshta nuk do gjeja forcë të rivija sërish, ndoshta nuk do mundja të këndoja më të njëjtën këngë si çdo mëngjes, ndoshta nuk do e bindja dot më veten të ëndërroja e qetë me ty.

Përqafimi im. Sot nuk dua të iki nga ky diell.

Mos ik as ti.

written by brunildas
February 26, 2021 0

Nuk merr shumë kohë momenti kur zemra gjen rrugë drejt një tjetre, pa e njohur ti beson dhe me sy mbyllur, nëpër errësirë sheh një dritë dhe duart zgjaten pa droje në kërkim të dy tjerave, e aty shpirti gjen prehje, gjen gëzim, gjen veten.

Falë teje mësova të besoj edhe pse kudo bënte errësirë dhe ftohtë.

Kishte kaluar kohë dhe ëndrrat ishin zhytur nëpër dhoma me dyer të mbyllura fort, kishin kaluar muaj e vite dhe ndjenjat kishin fjetur një gjumë të thellë e të gjatë, kishte kaluar kohë shumë dhe unë kisha harruar të vishja një buzëqeshje të qetë, kisha harruar të mendoja për lule, për rreze të hershme dielli e për male plot ajër të ftohtë e të pastër. 

Eja dhe mos ik.

Mos i beso kohës tinëzare që të vjedh dëshirën dhe të vërtetën e ndjenjës, lërmë mua të jem mikja jote e pakohë, e bashkë të krijojmë një kohë tonën që veç shpirtra si imi e joti dinë ti falin më të mirën, dinē ti falin magji. Ne diktohemi nga dashuria, nga sytë që shohin me të njëjtin ngjyrë, nga rrugët e njëjta që zgjedhim të shkelim, nga lulet që prekim, nga rrezet që fotografojmë kur jemi bashkë e nga ëndrrat që lexohen nëpër sytē tanë.

Ti ke qënë gjithmonë një hap afër meje, duke më falur lumturi si tani që jemi bashkë, ti ke qënë aty për mua.

Ndaj më lër dhe mua të jem kudo dhe kurdo për ty, për ne.

written by brunildas
January 28, 2021 0

U përpoqa të isha për ty gjithçka doje ti, u bëra diell, të fala gjithë rrezet, edhe shpirtin se ndieja më të më ngrohej, qiellin e ktheva në një roman, si fjalët që lexoheshin pastër në sytë e mi, të cilëve as ngjyrën sdite tua shquash. Mendova se për ty mjaftonte të isha unë, veç qënia ime, pa shtesa, pa kufij, pa etalon, me gabime, me falje, pendime, lot, mendova se si mua më mjaftoje një si ty, aq do duhej dhe për ty, thjesht një unë.

Të rëndojnë mendimet, kujtimet, të vrasin, të lodhin, të shtypin e shpirtin e ndjen të mbytur në kthetra.

Lëri, provo të ulesh në një qoshk, dhe egon tënde shihe të kërrusur diku mënjanë, e shih dhe bindu e pranoje me veten sa butë ta pata shtruar rrugën drejt meje, plot lule, plot buzëqeshje, plot shpresë, plot ëndrra e plot të mira. Shih se sa thjeshtë të fala dritë nga vetja ime, shih se sa thjeshtë e ëndërroja jetën me ty, mjaft në sytë e tu të shihja dashuri, ngrohtësi e mirësi.

E ndiej shpirtin në palcë të vrarë, më vërsulen nëpër damarë njëmijë fjalë që mu bënë grusht e më zunë frymën, teksa shihja sesi vetja ime venitej për të të kuptuar ty, për të të justifikuar ty, e ndiej zemrën të shpërndarë nëpër rrugë të shkelura e pashkelura nga unë e ti, i ndiej ndjenjat të rrënuara.

Mendova që më kishe prekur shpirtin, që mi njihje gjuhët e heshtura, që më lexoje mendjen, por jo.

Ulu nën dritën e hënës dhe shquaja dritën, shquaja dhe heshtjen, a të rëndojnë kryet mbi gjunjë? Ndieje dhe ti peshën e shpirtit tënd, a të rëndon? Pyete sa mirë të njeh. Po ti, a e njeh veten vallë?

written by brunildas
November 23, 2020 0

Tanimë që nuk je, çdo rrugë, çdo shteg më ngjan me ikjen tënde, ashtu bosh, pa kuptim, pa lajmërim, pa kthim. Çdo rruge nuk ja gjej më fundin, nuk ia shquaj më kthesat e pemët përbri smë ajrosin mendjen si dikur.

Më ndodh ndonjëherë të të pres si dikur, ulur përballë rrugës, e të të shquaj nga larg, më ndodh që me këngët në sfond të luaj kujtimet më të bukura e më të veçanta tonat, edhe pse këmbët më nuk prekin petale, unë sërish vazhdoj të ndiej aromë trëndafilash.

Më ndodh të qesh, të qaj, e me veten të kërkoj përgjigje, të të kuptoj ty, të mendoj si ty, të arsyetoj atë që vepron ti.

Nuk dua më ti zë besë vetes, edhe pse thellë ruaj kujtimet më të bukura, shikimet më të gjata, fjalët më të ëmbla e takimet më të ngrohta. Nuk dua më të të pres. Jam e lodhur të shuaj diellin sa herë ikën e më nuk kthehesh.

Nuk të njoha mirë, ose ndoshta aq doja të njihja dhe unë, të dhashë formë sipas shpirtit tim, krijova me mendje dikënd si unë.

Ti më njeh mirë, prandaj do të vije sërish, do trokisje në derë, do të pinim bashkë kafe, do të shquanim pemët plot sesi era i lëkund e sërish do ikje pa kthim.

Ti më njeh mirë, por këtë herë sdo jetë si çdo herë.

Këtë herë as vetë se di në do të të presë.

Këtë herë sdua të shkel mbi trëndafilë që skanë më erë.