Jeta ndonjëherë të detyron të shohësh përpara edhe pse pas ke lënë shpirt, ndjenja, ke lënë ditë plot diell, ajër të pastër me aromë jaseminësh, nga ato që veç vesa i ka prekur, ke lënë veten. Mu desh të shihja këtë herë, me më pak shpirt, me diell të mbuluar me re, me mjegull e ajër të ftohtë e jaseminë të paçelur.
Ti nuk e dije.
Sa herë vije nuk dukej më mjegull, dielli ngrohte e skishte lule pa aromë. I ngjaje një kënge të padëgjuar, me melodinë time të preferuar, e rreshta plot ndjenjë. Me vete sillje një jetë plot të reja, botë të bukur, në të cilën rrallë hynte dikush. Me vete merrje pak vjeshtë e më ftoje nëpër rrugë plot gjethe, sillje dimër me ftohtësinë e duarve e pranverë me buzëqeshjen që merrnin sytë e mi. Stinët mbase bëheshin bashkë, simfoni në ajër.
Në ato momente nuk dija të bëja tjetër veçse të vallëzoja e rrethuar nga pemë plot gjethe të zverdhura e të shkruaja vargjet më të bukura, të fshehura.
Shumë pak më njihje.
Tani ka kaluar kohë e ndoshta stinët janë bashkuar sërish. Ndoshta jaseminët kanë çelur më bukur, me më shumë aromë, ndoshta vjeshta të ka falur perëndime më të gjata, e dita diell më të ngrohtë.
Ndoshta tani edhe ti e din.