Është një nga ato momentet e ditës kur dua të shkëputem nga koha dhe të rri veç me veten, e të mundem të të mendoj veç ty, të rendis varg fjalët e tua që tingëllojnë si melodia më e ëmbël e dëgjuar nga një piano në fundin e një dite të gjatë e të lodhshme, e në mendjen time të fiksoj një buzëqeshje tënden.
Jam ulur këtu, në një qetësi që ka kohë që se ndiej, e me veten pranoj se sa ndryshe jam kur të mendoj ty.
Ti më ke trazuar shpirtin, siç dallgët trazojnë detin e nxjerrin në breg guacka plot perla të fshehura në thellësi. Ti, si një artist, ke veshur të metat e mia me lule e befas krijove tablonë më të bukur timen, atë që jam për ty.
Ti më ke ndryshuar mënyrën time të të menduarit, më ke bërë të shijoj ndryshe diellin në mëngjes tek më ngroh lehtë, e të rri gjatë pa folur para perëndimit të një shtune për një të dielë të mbushur plot me ty, larg diku, bashkë.
Nuk i druhem më as vetes, kur jam vetëm, e pranë stë kam, kur je larg e sytë sna gjejnë, kur sjemi bashkë. Nuk i druhem më as kohës që na vjedh minutat tona të arta, nuk i druhem më as hënës që të sheh më shpesh, e diellit që të prek më shumë. Me ty në mendime nuk kam frikë të jem vetëm. E ti më je bërë mendimi më i bukur imi.
Është një nga ato momentet ku çdo gjë përreth meje bëhet më e bukur, çdo gjë ngjyroset në ty, e në këto momente ti mi zbukuron mendimet.