written by brunildas
July 27, 2024 0

Është kaq e pamundur të mos shkruaj për ty, për fjalët që ti si the, për mendimet që i more larg nëpër pluhurat e rrugëve, është e pamundur të mos vij te ty në një moment të tanishëm apo të mëvonshëm. Nuk i besoj më vetes.

Ti ke mbetur po aty, si herën e parë, i pacënuar, i pandryshuar, larg kotësisë së ditëve të mia, larg mërzisë e rrëmujës, rutinës e lodhjes.

Je po aty, ku më njohe, nëpër dhomat më intime të zemrës, aty ku dhe unë harroj të futem, je po në atë qoshk të mendjes që gjen paqe sa herë të kujton, e përreth çdo gjë zbukurohet, merr jetë e ngjyra.

Nuk e di si ja dole por mbetesh udhëtimi më i bukur që zgjedh të bëj çdo natë, vendmbërritja e dëshiruar, ku frikërat e mia marrin fund, dhe pse pas çdo trokitje të padëgjuar sërish preferoj të të shquaj nga larg. Mbetesh rruga më e shkurtër për të prekur ëndrrat, edhe pse ti vetë mbetesh po një ëndërr.

Kudo të jesh, në momentet më të errëta tuat, në ditët më të vështira, në luftërat e pafundme në mendjen tënde, thjesht kujto që dikush diku po të shkruan një letër, për gjithçka fale nga vetja, për kohën, për shpirtin tënd të butë, për fjalët, për forcën, për dhembshurinë, për njeriun e mirë që je.

Kujtohu për të gjitha ndjesitë e bukura që ti dhe.


Ndjesi!

written by brunildas
September 13, 2023 0

Si mëngjesi që akoma se ka parë asnjë sy, si ndjesia që merr pasi fytyra të ka ndjerë erën e pastër të orëve të hershme, si aroma e tokës pas shiut, si pastërtia që të fal trëndafili i bardhë, si gëzimi që njeh shpirti kur dëgjon muzikën e preferuar buzë detit në fundin e një dite të gjatë, të ftohtë, ashtu vjen ti te unë.

Është e vështirë të shkruash për ty, nuk mundem të gjej më fjalë, fjalë jo të zakonshme, por fjalë që si kam thënë ndonjëherë, as vargje që si kam shkruar askund, asnjëherë.

Nuk mjafton as një muze plot tablo, skulptura të mistershme për të përshkruar artin që ma fal ti, nuk mjafton një dyzyn librash për të gjetur romancën që përcjell ti, nuk gjej më asnjë poezi më të bukur se ajo që shkruajnë sytë e tu.

Kush je ti?

Ti që më vjedh mendimet, ëndrrat më të fshehta e mi zbulon para syve, realitetin e bën më të bukur se to. Ti që nëpër errësirë vallëzon këngën më të bukur, e në shi krijon qiellin më të pastër, ti që dhe vuajtjen e bën gëzim.

Nuk di të shkruaj për ty…

Ti që nuk lodhesh nga e mira, që nuk mërzitesh nga e thjeshta.

Ti që përcjell dritë, edhe pse je thyer shumë.

Ti që nuk largohesh nga unë me fjalë të gjata e të tepërta, por rrugën e shkurton, me një përqafim.

Ti që nuk më lodh.

Ti, që ashtu si unë, nuk heq dorë nga e bukura, së shpresuari për të, së ëndërruari për të.

Për ty.

Për atë.

Atij!

written by brunildas
May 9, 2023 0

Do të provoj sërish, t’i mbledh lulet me ngjyra të ndryshme, ditës do i ruaj aromën më të hijshme, atë që më shkyç kujtimet buzëmbrëmjeve nëpër muzgun plot fllad, do provoj sërish të ndez yjet nëpër sy, edhe pse të lodhur për të fiksuar një pikë në oqeanin e pafund blu, sërish do zgjohem në mëngjes e do nuhas pranverën që edhe këtë vit nuk harroi të sjell me furi shi e pak diell.

Edhe sot do të dëgjoj pa u lodhur muzikën time të preferuar, do të pi kafen e me të kushedi ç’personazh do më sajojë mendja, kushedi ku do më shpie, nëpër toka plot pemë, ku dielli ndihet mbret ndërmjet degëve të varura që peshojnë. Edhe sot do jem e lirë, pa kufinj.

Edhe një herë do të ëndërroj, për gëzimin që më fal pa u lodhur në shpirt, për siluetën e bukur që i fal fytyrës sime, për ngrohtësinë që më vesh mendimet, për dritën në errësirë, për duart e tua që smë lënë të rrëzohem, për fjalët motivuese.

Do të ëndërroj për ty!

E di që kjo sdo të ndodhë vetëm një herë.

Me ty nuk ka numërim, me ty çdo gjë është si fillimi, i panjohur, mister, plot emocion, e me bukuri që të gozhdon si një pikturë fshehur nëpër qoshet e ndonjë muzeu të lashtë, e të shpie larg.

Me ty sërish do i mbush tryezat e mia me dëshira plot ngjyrë, do ti zbres yjet natën tek pushoj, do të shkruaj, do të gaboj, e do të jetoj, në luftë dhe paqe.

Edhe një herë, me ty njoha shpirtin ndryshe…

written by brunildas
September 5, 2022 0

Në ato ditë kur nuk ka diell, në netët kur nuk duket hënë, në sekondat që përpiqem të marr frymë, atëherë kur nuk di në të qesh apo të qaj, kur dua të jem çdo ngjyrë, por harroj sa më pëlqen të jem një pikë gri në mes opeanit ku asnjë sy të mos më shohë. 

Në këto momente, rri!

Kur nuk kam asnjë fjalë për të thënë, kur heshtja më peshon aq shumë e mendja më bën të arratisem larg e nuk di në mund të kthehem mbrapsht, ti mos u largo. Mos ik atëherë kur më duhet një dorë për t’u mbajtur nëpër errësirën e kujtimeve, tek të tregoj të gjitha vragat e shpirtit, trëndafilat që s’çelën asnjëherë plot, e hartat plot rrugë që kam në kurriz për të parë çdo ditë diellin ndryshe.

Rri të ndash me mua ditët kur qesh me tepri, apo zhytem në heshtje, ditët kur afrohem tepër e largohem pa arsye, qëndromë më pranë edhe kur të bëj 1000 pyetje e hezitoj të të jap përgjigjen e parë që më vjen në mendje. Mos u lodh nëse të tregoj disa herë një histori të njëjtë, kushedi sa herë e kam imagjinuar këtë moment, as kur të pyes nëse ke ngrënë apo dëshiron një kafe.

Në një mëngjes të diele, kur fytyra më ka marrë formën e rrezeve të diellit, e sytë ngjyrën e qiellit pa re, eja të të tregoj se sa mirë ndihem pranë teje, se si jam mësuar me ty, me buzëqeshjen tënde, se sa rëndësi ke ti për mua.

Eja dhe rri!

written by brunildas
May 27, 2022 0

I kam shuar të gjitha dritat, muret i vesha vetëm bardh e zi, këtë herë nuk lejova më shpirtin të të shihte me ngjyrat e tij, këtë herë zgjodha kombinimin tënd të preferuar, që të kuptoj më mirë se si ndihesh tani, tek më kujton nëpër rreshta.

E kam lënë veten të të shohë me një sy tjetër, fjalët e tua ti bëj me rimë edhe pse grimcë melodie ska më në to, por sërish ti mbete njësoj. Ti nuk je më ashtu siç ishe.

Sytë e tu si ngjajnë më fotografisë sime të preferuar, as lëvizjet nuk i ke më të drejtuara drejt meje. Tashmë e di.

E di hapin tënd të radhës, të gjitha fjalët që të fshehin sytë e trembur, të gjitha mendimet që të kanë marrë buzëqeshjen që ma falje vetëm mua, e di çfarë dëgjon kur je vetëm, zërin që të ka zënë mendjen, e di dhe se ku të shkon shpirti në netët e vona.

Ti nuk më habit më.

Unë të njoh mirë, ta njoh çdo rrudhë që të merr fytyra, të njoh çdo ngjyrë që të marrin sytë, çdo dridhje duarsh që mendon se e fsheh mirë. E di që tashmë se gjen lumturinë në mua, as gëzimet si ndan me mua, e di që nuk vrapon për të më ecur pranë.

Ti nuk je më mister.

Unë të njoh më mirë sesa ti njeh veten.

E di që një ditë do rikthehesh aty ku mësove ç’është streha, aty ku nuhate gjithmonë aromë trëndafilash, aty ku harrove që çati kishe qiellin, aty ku shtrive shpirtin e njohe lirinë.

Por ti nuk më njeh mirë.

Një ditë do më kërkosh por nuk e di në mua më gjen.

written by brunildas
April 14, 2022 0

Mos mendo që je vetëm edhe në momentet më të dobëta të ditës, ku shpirtin e ndjen të lodhur edhe sytë i mbyll për tu shkëputur nga rutina, e ikën larg. Mos mendo që nuk vij me ty në ato sekonda, kudo të jesh ti, unë jam aty, pranoje dhe ti që kam zënë një vend në zemrën tënde. Pranoje që kur mbyll sytë të kam vjedhur buzëqeshje, si ato pamendje që t’i merr pragu i gjumit pas një ditë të lodhshme.

Ti e di, në zemrën time ka kohë që është një vend për ty.

Në ditët kur bie shi në shpirtin tënd, mund të të ofroj një përqafim të ngrohtë, një vend ku të strukesh, mund të të ofroj një kafe, një shëtitje, mund të të dedikoj një këngë e të të ftoj në një vallëzim. Ti nuk ke takuar askënd si unë, të siguroj.

Në udhëkryqet e pafundme, mund të të mbaj dorën fort e të të drejtoj drejt zemrës tënde, ajo rreh njësoj si imja, ja njoh të gjitha labirinthet, e në errësirën e ndjenjave tua, mund të të shoqëroj tek këmbët të shkelin mbi kujtime që nuk kërkon ti prekësh.

Në netët e tua më të gjata, mund të të shoqëroj në heshtjen tënde e të të dëgjoj çfarë as vetes nuk ja thua dot, ëndrrat që ke apo fajet që të rëndojnë zemrën, askush nuk është perfekt.

Në momentet e tua më të vështira, nuk je më vetëm.

Ti e di, e ke një vend gjithmonë pranë meje.

written by brunildas
February 8, 2022 0

Lërmë të të fotografoj me sy në këtë moment, e të të ruaj si një kujtim të artë që nuk harrohet lehtë, lërmë që buzëqeshjen tënde ta ruaj si diellin që e kërkoj çdo ditë nëpër qiellin plot re, zërin si këngën e parë që më vjen ndërmend në mëngjes, lërmë të të ruaj kështu, si tani. Ti, se ke idenë sa bukur dukesh!

Në këtë moment, kur ti gjen prehje te unë, harro gjithë rrugët që ke bërë për të ardhur drejt meje, harro lodhjen nga njerëzit, kur ti gjen njëmijë arsye për të mos ikur, kur mbyll sytë e me dëshirë arratisesh nëpër ëndrra që marrin frymë pranë qënies sime, mos harro, se sa bukur më bën të ndihem.

Në këtë përqafim, kur më fton të lë pas të gjithë dhimbjen, mallin, mendimet, e trishtimet e mia pa emër, lërmë të të dedikoj fjalë që në rreshta si shpreh dot, fjalët që ti kam thënë me sy, e padashur kemi humbur në dete plot thellësi, nga ku nuk kemi dashur të dalim lehtë në breg, lërmë të të ndjej e të pranoj që ti je lutja ime e shprehur me sytë drejt qiellit.

Ruaje këtë përqafim, ashtu siç ruan ditët kur ke gëzuar me shpirt, ruaje siç ruan një këngë për ta dëgjuar disa herë kur je vetëm, siç ruan fjalitë më të bukura që ke lexuar diku.

Pohoje dhe ti, që je i lumtur.

Ashtu si ndjesia që merr pas një ecjeje shplodhëse e të gjatë, si ndjesia e një çaji të ngrohtë buzë detit nëpër muzgun e një dite dimri, ashtu si ndjesia tek sheh një film të preferuar, si qetësia e shpresa që të fal mëngjesi plot diell i të nesërmes.

Ruamë si tani, nëpër sytë e tu, këtu, pranë me njëri-tjetrin. Se ke idenë, se sa bukur dukemi!

written by brunildas
January 24, 2022 0

Nuk mbaj mend të të kem takuar në ëndërr apo thjesht si mjegull kalove nëpër ditët e mia dhe le gjurmë që si tym u zhdukën nëpër ajër. Nuk e mbaj mend as zërin, fytyrën tënde, janë shuar në mendjen time si gërmat e një libri të vjetër, harruar në cepin e një dhome ku nuk hyn dritë.

Ti nuk më kujtohesh më!

Më duket sikur i përket një shekulli të vjetër, kur unë nuk kam jetuar, një kohe që shpirti im nuk ishte shpirti im, kur mendja ime i përkiste idesë që të jesh me ty është një mrekulli, kur mendoja që pazëlli im ishte plotësuar me ty, kur mendoja që ti i kishe dhënë motiv jetës sime. Ti i përket ditëve të mia të trishta, që nuk kanë diell, që janë pluhurosur nga vetja ime e re, që lumturinë e ka mbjell vetë në shpirt, ndryshe nga ti, që nuk e di në e ndjen ndonjëherë.

Nuk më kujtohen më as fjalët e tua, as sytë me çfarë ngjyre të visheshin kur më kishe pranë, nuk mbaj mend as kur kam qeshur me ty herën e fundit. Sa pak më paske dashur.

Ti nuk më kujtohesh më as nëpër meloditë e këngëve që të dedikoja, asnjë refren si shkon shpirtin tënd, asnjë tingull nuk më vjen të luaj mbi piano kur emri yt kalon si shigjetë para syve të mi.

Ti nuk jeton më në mua.

written by brunildas
November 25, 2021 0

Për ty nuk dua të mësoj gjëra të njëjta, dua të kuptoj çfarë sheh ti ndryshe në një ditë në mëngjes herët kur nuk ka diell, në një ditë kur perëndimi nuk është ashtu siç duam të jetë, kur kafja të duket e hidhur, kur ti ke shumë për të thënë e nuk thua asgjë, dua të kuptoj se si heshtjen e bën buzëqeshje.

Dua të di mendimet që si flet më çdokënd, dua të jem si pasqyra jote në mëngjes, që të vjedh shikimin e parë ashtu me ato flokë të pakrehur, me një buzëqeshje pa filtra.

Për ty dua të di shumë, ndoshta dhe ato që ty në dukje të duken të parëndësishme, për mua janë tepër. Dua të di mërzinë tënde të ditës që se ndan me asnjeri, si e sheh të mirën edhe atëherë kur shpirti të është lodhur, si e pret hënën vetëm me shpresë plot?

Më thuaj.

Çfarë të vjedh buzëqeshjen fshehurazi, kur je vetëm si tingëllon emrin im në buzët e tua, a ta marr mendjen?

Dua të di si të jem mesazhi yt i parë në mëngjes, mirëmëngjesi plot zemër e një mirupafshim me gjysëm zëri.

Dua të di, si të të dua?

Në heshtje apo me fjalë të thjeshta, plot zemër? Të të dua ngadalë apo rrëmbyeshëm si stuhia që sjell ylber? Të të dua sot më shumë apo gjithmonë?

Sa dua ta di.

Më thuaj.

written by brunildas
November 24, 2021 0

Kur ka qënë hera e fundit që ke pritur të lindë diell në ballkonin tënd? A e ke mbush shpirtin me ajrin plot shpresë të mëngjesit? Po supet kur i ke shplodhur e mendjen e ke lënë të lirë nga mendimet?

Sapo bëra një kafe. Paska tepruar dhe për ty. Gjithmonë tepron për ty.

Çdo ditë në mëngjes të kam ftuar në mendjen time. Kam dashur të të them se si më ka shkuar dita, sa herë të kam menduar, librin e radhës që kam blerë e sa herë më ke ngjasuar me personazhin kryesor. Kam dashur që fjalët e mia të para të ditës ti them ty. Se si, çdo mëngjes vij te ty e më pëlqen të shoh rrëmujën nëpër të cilën shpejton për të ikur në punë, kafen e harruar mbi zjarr e tavolinën e parregullt. Kam dashur të të them se sa më pëlqen dhoma jote, se sa diell ka mëngjesi yt, sa dritë bën kur je ti aty.

Më merr malli për ty.

Më merr malli të të shoh tek përgatit darkën, fytyrën e pavendosur për zgjedhjen e filmit të radhës, për kolltukun ku ulesh e lexon e ecejaket nëpër dhomë për të shuar dritat para se të flesh.

Seç ka diçka të veçantë ky mëngjes. Ndryshe nga çdo herë edhe aroma e kafesë shijon ndryshe. Më mirë ta ndjesh vetë. Nëse shpejton pak, do arrish të shohësh se sa ngroh dielli këtu te unë, do mbushësh më ajër e do shplodhësh supet.

Kafja nuk qenka ftohur akoma.

Eja, sheqerin mund tia hedhësh vetë.