Edhe atëherë kur durimi të është veshur si aksesori më i bukur i përditshmërisë tënde dhe zor se të shkitet, dua të lutesh të më gjesh. Edhe atëherë kur thua që qenka e pamundur për të më arritur, lutu me zemër të më afrohesh e të bëhemi bashkë. Mos mendo që je unik, ka dhe si ty, që lutet për ty, ashtu siç lutesh ti të gjesh dikënd si unë…
Unë dua atë që më mbush zbrazëtirat e zemrës, që më bën diell edhe atëherë kur shiu ulet këmbëkryq në qiell, dua atë që më fal lot gëzimi, atë që më bën të harroj vetminë…
Dua ty të jesh ajo çfarë unë për veten smunda të isha, të më lexosh mendjen kur unë nuk mund të flas, të më veshësh sytë me lumturi shpirti kur unë të buzëqesh.
Dua Ty, që prêt të zbukurosh jetën me një si Unë.
Një që ka besim fort, një që shpreson fort, një që dashuron fort, të mirën, të shtrenjtën, një që fal gjithmonë, një me zemër sa imja mbushur plot ndjenjë, një që ëndërron dhe shemb çdo gjë për ti bërë jetët plot diell.
Dua atë që po më kërkon me kohë dhe po përpiqem pranë vetes ta sjell, të shijojmë bukuritë e natyrës që na falen çdo mëngjes, çdo mbrëmje.
Dua atë që mezi pret të më kapë dorën, të më tërheqë fort pas vetes me dashuri, si magnet, dua atë që të më shtyjë të jem diellore si përherë zgjedh të jem vetë.
Më thuaj si ndihesh kur qiellin e sheh? A të vij ndonjëherë në mend? Kur sytë i mbyll për të shfajësuar veten nga lotët që të njomin shpirtin a i mendon të gjitha netët që më shoqëroje tek yjet i zbrisnim bashkë në duar? Mos u shqetëso për mua, nuk ndihem keq! Faleminderit, ndihem më shumë se çfarë më gjete!
…dhe unë do vazhdoj të jetoj sërish, fundja të njëjtën gjë bëra edhe kur ëndrrat i ndaja me ty, janë të njëjtat akoma!
Mos u ndiej aspak në faj!
Unë nuk jam si ti!
Nuk e pikturoj dot shpirtin në gri! E ai njeh vetëm diell e lule! Je i lirë nga mërzitë që mendon se mi ke falur!
Diku rrugëve të tua të shpeshta do ndiesh dëshirë të hapave të të shpien drejt meje, do stepesh e do mendosh me veten, se si koha zgjedh vendime që u përkasin shpirtrave, se si fjalët bëhen poezi e mbesin, do mendosh shumë nga ato që mund të kishe, do më mendosh mua!
Unë jam ndryshe nga ti.
Më fal, paskam qënë e vetme, netëve kur këndoja prej mallit, netëve kur qiellit ja numëroja yjet, netëve kur hënën e xhelozoja!
Më fal, të hamendësova si vetja.
E vetja ime qenka shumë larg teje!
Ti erdhe furishëm por pa bërë zhurmë atë natë kur yjet mendoja ti zbrisja vetë në tokë, atë natë kur hëna më dukej e lodhur nga ankesat e mia. Ah sa shumë e kam lodhur!
Ende se besoj se aty jashtë je ti tani, edhe pse se di se si ndihesh të them që ti më ke bërë të mendoj se si do ndihem nëse ditët i bëjmë një. Më ke bërë të mendoj si është të shohësh hënën e nga ana tjetër të di që edhe ti po e sheh, më ke bërë të shoh qiellin por tashmë jo e vetme, fundja nën të njëjtin jemi çdo sekondë, më ke bërë të mendoj për një film në kolltukun tim të ngrohtë bashkë me ty, më ke shtyrë të përfytyroj ndjesinë që më jep gota e verës pranë syve të tu.
Nuk e di në jam unë ajo që të kërkon ndër fytyra apo zemra e cila ka gjetur rrugën e është nisur ashtu e verbër drejt tëndes. Nuk e di në jam unë ajo që pret rrugët të mbushen nga hapat e tua që më shumë ma shtojnë frymën kur të shoh nga larg.
Di që të kam veshur me plot ndjenjat e mia, ato të cilat as vetë si njihja, ato të cilat i mbaja fshehur mirë në dhomat e zemrës. Të kam veshur me Unë, prandaj nuk di se si të të thërras. Nuk e di më as se si shpirtit tim ti përkas. Shpesh herë e gjej veten të zhytur në mendime për të të krahasuar me romanet më të ndjera të lexuara dhe përfundoj duke shkruar romanin e ndjenjave të mia.
E kupton pse nuk di si të të quaj?
Se di në të kujtohem unë, ajo që sytë ia hodhe rastësisht dhe si shigjetë u ngjite thellë në mish dhe le gjurmë që rrallë dikush mund të ketë fuqi të tillë në mua…
E mban mend se çfarë ngjyre kishte marrë shikimi im apo thjesht po të pëlqente mënyra sesi shkëlqimi ishte veshur ndër to?
Imagjinatë drithëruese…se di në ishe mjeshtër apo thjesht një palë sy të mistershëm që zhduken në fraksionin e sekondës duke lënë vetëm dëshira e ndjenja sporadike në ajër.
Ti më shtyn të krijoj shtëllunga resh e diell të pashoq që më djeg zemrën nëse mendoj më shumë se ç’duhet. Të shoh dhe mendoj, nuk mundem të të takoj siç dua dhe më mirë se sa në imagjinatën time. E aty ti je mjeshtër i saj, i ndjenjave të mia, vetëm aty mund të lejoj të afrohesh pranë syve të mi, aty të takoj në rrugët e zemrës ato që mi din vetëm mendja ime. Aty jemi vetëm unë dhe ti, dhe askush tjetër, as mendjet tona të mbrapshta që vetëm punë prishin.
Ti mi merr mendimet e i bën vargje këngësh e unë muza jote në një natë të gjatë vere para hënës nën gotën e verës.
Ti më deh. Dhe imagjinata s’është më e imja…
Të ruaj si kujtimin më të bukur timin në atë zemër që ndalonte sa herë të shihja. Të ruaj si mendimin e ëmbël që qetëson çdo moment të dëshpëruar timin. Të ruaj ashtu, me kthetra, si e marrë, në atë zemër që dridhet sa herë të mendon. Të ruaj, larg jetës monotone, kësaj bote të zhurmshme që nuk ndalon së intriguari. Të kam mbyllur thellë në zemër, të kam rrethuar me ndjenjat më të bukura dhe më të sigurta, të kam veshur me dashurinë e qënies sime.
Do të të ruaj ty dhe ylberin tënd që e pikturoi ndryshe jetën time. Do ta ruaj kohën tonë, në atë të dobëtën por njëkohësisht të fortën, zemrën time. Diku, vetëm, në ndonjë moment, kur papritur të dëgjoj atë tingull telash të kitares që na shoqëronte çdo agim tonin, do ndjej një dëshirë të të ruaj gjithmonë.
Do ndjej dëshirë të ruaj njerëzit që shikonin dashurinë tonë, do ruaj objektet që më bëjnë të kujtoj ty, do ruaj çdo gjë, tingull, melodi, çdo send, apo njeri që ish dëshmitar i të ngrohtës tonës dashuri! Më beso, të ruaj akoma, në atë sirtarin e ëndrrave të mia, që tashmë është boshatisur që kur ike ti. Të mbaj vetëm ty aty, si një ëndërr që të të ruaj gjithmonë, këtu, pranë ndjenjave, në zemrën time!
Nuk do i kisha besuar kurrë romanet e bukura të mbushura plot ndjenjë që të vërshonin zemrën dhe mendjen ta bënin kështjellë ëndrrash shpirti, po të mos kisha takuar ty. Se di nëse do kisha jetuar me ato ëndrra apo do vazhdoja të lexoja akoma më shumë të tilla histori për të ndjerë magjinë e ndjenjave të ëmbla.
Ti më thua bashkë në 1000 jetë, por unë vazhdoj e mendoj se kam jetuar edhe 1000 të tjera ku nuk ishe ti, por pranë me ty. Edhe kohën po ta ndaloja, përsëri nuk do të donin të shkëputeshin shikimet tona, që flasin gjithmonë, bashkë apo jo, e ndjejmë të dy. Kemi skalitur bukur vështrimet në zemrat tona, zor se na lënë rehat kur sjemi pranë. Edhe rrugët ndihen të vlerësuara nga vajtje – ardhjet tona të shpeshta e të ëmbla. Kurse rrugicat të mbushura me mall të pashuar për të dëgjuar buzëqeshjet e pafundme në orët e vona.
Ti më thua bashkë do jemi gjithmonë. Unë mendoj përsëri se kemi qënë dhe pa u bërë nji. Në ëndrrat tona, në mendimet tona, në lutjet tona, në zemrat tona. Udhëtimi ishte i gjatë por në fund u bëmë bashkë. E dija që do vije ashtu siç erdhe, si gjumi i një dite të lodhshme që të qetëson mendjen nga zhurmat, si ëndrra e një nate vere që të shuan etjen në zemër, si melodia e pianos që të vjedh buzëqeshjen e shpirtit, si aromat e pranverës që të mrekullojnë jetën.
Se di si do vazhdoja të jetoja pa ty, se di si do i shembja e do i rindërtoja dhe një herë kështjellat e pafundme të ëndrrave të mia po të mos kisha njohur ty. Por, tani di që paskemi qënë në 1000 jetë unë dhe ti!
Asnjëherë s’më ka pëlqyer e zakonshmja. Ajo që rëndom shihej në rrugët e qytetit tim të bukur.
E di… unë nuk jam si e zakonshmja, që kënaqet me një dhuratë luksi, apo me një kompliment të dëgjuar kushedi sa herë. Imagjinata është mikesha ime më e mirë, imagjinata e pastër, e bukur, ajo imagjinatë e shpresave dhe ëndrrave me këmbë në tokë. Ushqimi i shpirtit tim dhe produkti i tij është buzëqeshja, e pamarrë njësoj në këmbim por që e fal me gjithë qënien time çdo herë…kur shoh një zambak, kur shoh një buzëqeshje, kur shoh fytyrën e nënës sime, apo kur ndjej përkëdheljen e duarve të të shtrenjtit babait tim.
Unë s’jam si e zakonshmja!
Qesh me shpirt dhe jo me të tjerët. Qesh sepse e ndjej. Fal ndjenjë në çdo fjalë timen që e shpreh veçse kur e ndjej. E di…jam pak e marrë, për ty, për të tjerët, e di…
Por, unë jetoj për ëndrra, për sukses, jetoj për vepra të mira, që nëse do më pyesnin përse? Do thoja veç: Faleminderit Zot që më ke falur kështu!
E di? Ti që vjen në jetën time, mundohu të pajisesh mirë para se të vish!
Vish një buzëqeshje të madhe në fytyrë! Vish një shkëlqim që të të shoqërojë sa herë të më shohësh. Vish një armatur ndjenjash të shpirtit. Vishe zemrën me mirësi.
Grumbullo shumë rezerva fjalësh të ngrohta sa që edhe dimrin mos ta ndjej.
Mendohu para se të vish. Jam e marrë…e di…para vetes nuk më dhimbset njeri…kështjellën time të ëndrrave e hap vetëm ai njeri…që më bëhet ëndërr vetë!
E zbuloj zemrën vetëm për atë që e njeh pa e parë. E jap zemrën për atë njeri që jetës sime i fal më shumë magji se sa ja fal vetë.
Të lutem, mos më shaj! E di…jam pak e marrë, por nëse lodhesh nga imagjinata ime, mos pretendo të thuash se e marra jam unë!