Në ato ditë kur nuk ka diell, në netët kur nuk duket hënë, në sekondat që përpiqem të marr frymë, atëherë kur nuk di në të qesh apo të qaj, kur dua të jem çdo ngjyrë, por harroj sa më pëlqen të jem një pikë gri në mes opeanit ku asnjë sy të mos më shohë.
Në këto momente, rri!
Kur nuk kam asnjë fjalë për të thënë, kur heshtja më peshon aq shumë e mendja më bën të arratisem larg e nuk di në mund të kthehem mbrapsht, ti mos u largo. Mos ik atëherë kur më duhet një dorë për t’u mbajtur nëpër errësirën e kujtimeve, tek të tregoj të gjitha vragat e shpirtit, trëndafilat që s’çelën asnjëherë plot, e hartat plot rrugë që kam në kurriz për të parë çdo ditë diellin ndryshe.
Rri të ndash me mua ditët kur qesh me tepri, apo zhytem në heshtje, ditët kur afrohem tepër e largohem pa arsye, qëndromë më pranë edhe kur të bëj 1000 pyetje e hezitoj të të jap përgjigjen e parë që më vjen në mendje. Mos u lodh nëse të tregoj disa herë një histori të njëjtë, kushedi sa herë e kam imagjinuar këtë moment, as kur të pyes nëse ke ngrënë apo dëshiron një kafe.
Në një mëngjes të diele, kur fytyra më ka marrë formën e rrezeve të diellit, e sytë ngjyrën e qiellit pa re, eja të të tregoj se sa mirë ndihem pranë teje, se si jam mësuar me ty, me buzëqeshjen tënde, se sa rëndësi ke ti për mua.
Eja dhe rri!