Mos u mundo të mbledhësh pjesë të thyera e të krisura, më beso të fundit i mblodha unë, u mundova si gjithmonë të mos lë pengesa, të mos vritesh me to, mbetesh sërish me rëndësi për mua, ka akoma shumë nga unë në ty.
Më beso, tashmë nuk ka mbetur asgjë. Mund të ecësh qetë, edhe në ato vende ku dikur zgjidhje të ecje me kujdes, tanimë mundesh të rrish pa frikë, të ecësh dhe në errësirë, tanimë ska asgjë aty.
Në ato pak vende që ishim bashkë mblodha të gjitha kujtimet e ika, si gjithmonë nuk bëra zhurmë, zgjodha të të lija vetëm, të kurseva disa mundime fjalësh të pafajshme tuat.
E në këtë natë të zymtë, për herë të parë kuptova veten, sa lodhje kisha përjetuar për të të kuptuar ty.
Do të të mungoj e do të më kujtosh, në çdo mëngjes kur të jesh duke pirë kafen përballë rrugës që zien nga zhurmat, mbështetur anash xhamit e në shpirt vrarë nga heshtja e mureve bosh nga kujtimet tona.
Do ndiesh trishtim e shpirti do të të lërë shije të hidhur, shije që më falje mua dikur…
Do të duash të nisesh drejt meje, por ndërgjegja do të të brejë fort, ashtu si më vrave ti mua, pa dashur, pa kuptuar…
E di, do ndiesh dhimbje, zemërim, inat, të gjitha i ndjeva dhe unë dikur…
Do të më kujtosh shpesh, e prapë sdo më kuptosh.
Zor se do më kuptoje ndonjëherë…
E mban mend, sonte qenka fiks koha që na rrethonte ato netë, kur nuk bënte shumë ftohtë, rruga mbulohej nga gjethet e hëna ndrinte plotë. Besoj të kujtohet edhe melodia e zërave tanë që ngatërrohej lehtë me zhurmat e fundit tek-tuk nëpër qytet.
Unë nuk dua ti shuaj kujtimet, të vetmet të vërteta që mi njeh shpirti. Me to të sjell pranë, fiks si në kohët tona, fiks si në tavolinën tonë të preferuar, aty ku pimë shumë kafe e dolli plot ëndrra ngritëm gjatë.
Dhe ti e kujton, me siguri, unë këtë e di, edhe pse heshtjen kemi ngritur me mure të larta, nëpër ajrin e ftohtë arrij të dëgjoj fjalët e tua, mbeten sërish tingulli më i bukur.
Edhe ti më ruan në kujtime, si dita jote e preferuar, si biseda më e ngrohtë që të ka marrë zemrën, si poezia më e lexuar, si pritja e gjatë që të lodh e prapë nuk shuhet.
Unë nuk di të fshij kujtime, nuk di tu tregoj udhë premtimeve të shpirtit, unë nuk di të shuaj fjalë, e të të largoj nga mendimet.
Je i lirë të vish po munde, të rrëzohemi edhe njëherë e të ngrihemi bashkë, më njëri-tjetrin pranë, të vish në tavolinën tonë të preferuar, e të pimë kafe gjatë.
Ti eja, ashtu siç erdhe në ato kohë. Do të kesh kujt ti rrëfehesh netëve të gjata, do të gjesh një dorë ku të vizatosh hënën e yjet, do të gjesh heshtje që të kupton kur të mos duash të thuash asnjë fjalë e një sup ku të mbështetësh kur do duash të ikësh larg.
Unë nuk dua tu iki kujtimeve, nuk munda tia fal as detit.
Ndaj po munde eja.
U bë kohë që stë kam parë.
Do mbushja faqe plot, do shkruaja poezi, letra, do flisja pa reshtur e pa u lodhur, për ndjesitë e bukura, për emocionet e gdhendura në mendje e zemër, për buzëqeshjet e pafundme, për mrekullitë e bukuritë e jetës, e në fund do ndaloja, në ty nuk do mundja të thoja asgjë, te flisja asnjë shkronjë, në ty do ndaloja e do të të ndiqja sytë, e ashtu e heshtur do të të shikoja gjatë, e me heshtje do të të falja shumë nga unë, shumë nga çfarë nuk munda të të them.
Të pata thënë dikur që kisha veç veten time, një ëndërrimtare me mendje të mbrapshtë, që shumë herë mbushte e zbrazte sirtaret e sërish kthehej e mbushur e tëra në shpresë, për të kapur ndonjë rreze diell edhe në ditët më të ftohta të dhjetorit, për ti dhënë jetës mundësi të më prekte me ëndrra e sërish netëve vonë të shihja gjatë yjet. Të pata thënë që unë nuk mbaj mëri edhe kur zemrën e ndjej të më cikloset dhe zhurmën e shtyp me këmbë, unë sërish fal, për të parë dhe njëherë një buzëqeshje të ngrohtë që vjen drejt meje, fill mbas një zemërimi që vetëm frymë na merr dhe na shmang ëmbëlsinë e kësaj jete. Unë do të të kisha falur shumë herë, e ti sërish do të kishe kërkuar më shumë.
Për fjalët që nuk munda të ti them, falmë. Unë, kokëforta mendova se duke të dashur në mënyrë time do të të mbaja pranë vetes gjatë, e në përjetësi do të ngrinim dolli në çdo natë, kur hënën ta përcillnim bashkë. Falmë që akoma të kam në damarë, e të ndiej edhe kur ndonjëherë frymë marr kur jam me veten, vetëm, edhe kur ti më vjen si një vegim e më turbullon ditën.
Tanimë ndihem e qetë, fundja ne jemi të fatit, e fati ndonjëherë të fal surpriza që ti nuk i mirëpret, e ndonjëherë të merr nga vetja jote gëzimin, lumturinë, por në fund ti mbart në zemër atë që le, kujtimin tënd.
Mund të të kisha folur shumë për atë që ndjej për ty, por ti sërish do kishe kërkuar më tepër.
Kudo të jem, në çdo fragment të ditës, në çdo frymë që marr, në çdo shikim që fal, në çdo ëndërr që shoh, ti je aty, me mua, më mjafton vetëm të mbyll sytë e të të shoh tek buzëqesh pa kuptuar kur të prek lehtë edhe një rreze dielli.
Dukesh bukur kur je kështu, pranë meje, në paqe, e paqja ime bëhesh ti.
Ti e di që me fjalë jam e varfër të shpreh shpirtin, shumë prej tyre i ruaj thellë në zemër nga frika e erës që si për inat i përplas në valët e detit e ua shuan emocionin. I ruaj si lumturinë e një momenti, për ta zgjatur sa më shumë e prej saj të vjedhim pak magji, e kur të jemi pranë të marrin formën e përqafimeve të gjata, të ngatërrimeve të gishtërinjve e shpupuritjes së flokëve.
Ti më je bërë prehja ime, e nga ty nuk dua të iki larg më, më je bërë gjithçkaja kur nuk kam asgjë të bukur përreth meje, kënga dhe gëzimi im kur trishtimi më pushton, e paqja ime kur çdo gjë zhurmon.
Do rrija gjatë pa folur kështu, duke të ndjerë zemrën tek rreh, e me ato sekonda të pikturoja lumturinë time në qiell, ti jepja ngjyra pafund, e diellin ta vishja në sy gjithmonë.
Tanimë e dimë të dy, të gjejmë rrugën për tu gjendur në zemër pranë, tani e dimë mirë se si është të duash pa thënë asnjë fjalë.
Ne duhemi në paqe, e paqe i falim shpirtrave tanë.
Ka netë që kanë formuar mbretëri heshtjeje e ti mbret i tyre mbete, vetëm, me veten, duke rendur mbas një fije drite që hëna ta lëshon kur kujtohesh e i hedh sytë përtej dritares drejt qiellit të errët.
Ka netë që të ftojnë e të marrin me të mira, të ulesh në qoshen tënde të preferuar, të çlirosh mendjen, e zemrën ta dëgjosh nëpër zhegun e vapës, sesi lodhjen don ta flakë tutje.
Si unë, edhe ti, ke nevojë vetëm të heshtësh e veç heshtje të dëgjosh nëpër tymin që mbush ajrin plot kujtime.
Ka netë kur don të ikësh larg, nga kjo botë që shkriu akujt, e prapë ftohtë ndjeu zemra.
Ka netë, ku dhe ti njësoj si unē, i prek ëndrrat me sy hapur, e ashtu me droje, qesh e ngutesh ti drejtosh këmbët fort në tokë. E ndien shpirtin të lodhur, e sërish mundesh të qeshësh e të ëndërrosh njësoj sikur dielli nuk perëndoi ansjëherë, sikur dimri nuk ftohu asnjëherë e drita kurrë nuk u zhduk.
Njëjtë dhe unë si ty, ka netë ku trupin dua ta lëshoj nëpër lule plot aromë, të prek me mish vesën, e fryma të më mbush zemrën, e ashtu plot jetë të pres fijen e ngrohtë të një rreze dielli që sy tjetër akoma se ka fotografuar.
Ka ditë kur ti nuk ke se çfarë të thuash, kur fjalëve ua humb rënditjen, kur trishtimin e vesh syve e buzët stë përgjigjen për një buzëqeshje, kur ti me pa durim, pret diellin, ti gëzohesh dritës, të përqafosh shpresën, tê dashurosh jetën, e të falësh zemrën.
Si unë!
Nuk e di, por me ty më pëlqen të endem diku larg, nëpër rërë të pashkelur, bregut të detit, të mos ndiej asnjë zhurmë, vetëm melodinë e fjalëve tua që përplaset lehtë në dallgët e qeta, e të mos shoh asgjë, vetëm perëndimin e diellit në sytë e tu.
Nuk i ndiej më stuhitë e pafundme brenda meje, e rrugëve boshe të braktisura u bë kohë që më nuk humbas.
Ti nuk je si asnjë.
Të shoh dhe mendoj se si ndihesh ti kur më sheh tek të shoh gjatë, se si dukem kur nuk më mbetet asgjë më për të thënë, e vetëm heshtjen dëgjojmë rreth nesh. Më thuaj si arrin të më rrëmbesh pa bërë asgjë, më thuaj si më fton të arratisem e të lë çdo gjë pas.
Ti nuk më ngjan me askënd.
Ti më ngjan si një ëndërr e imja, e paprekshme që zgjat shumë pak por të mbetet në mendje, si një ëndërr mëngjesi që si fllad të përkëdhel butë e të fal shpresë me sytë drejt diellit.
Më ngjan me këngën që e këndoj gjithmonë, me veten, fjalët e saj, të rrinë bukur, dhe unë nuk gjej titull më të mirë për të se sa emrin tënd. Të shikoj dhe nuk dua ti shtoj asgjë buzëqeshjes tënde.
Ti ngjan si një ëndërr vere e gjatë nga e cila nuk dua të zgjohem.
Do ta stolis me lule, do të flas thjeshtë e me fjalë që të lënë gjurmë në shpirt, do të të shkruaj për kohën që më zë në mendime e si mendimet e mia më vishen veç me ty.
Do të të shkruaj një letër.
Për mëngjeset plot diell, për pranverën që shndrin si kurorë e artë mbi pemë, për buzëqeshjet e pafundme tonat, për ecjet këmbëzbathur pranë detit e për albumet plot foto që na presin, për përshëndetjet plot shikime e pak fjalë tonat, për përqafimet e gjata si premtime plot shpresë në këtë botë të vogël plot surpriza të mëdha, për qëndrimet e vona netëve pranë zjarrit në oxhak, për vallëzimet plot ndjenjë me njëri-tjetrin pranë.
Do të qeshim mbrëmjeve të dimrit sërish, tek do të ngremë dolli për jetën, do të presim ditën me mall për një pranverë me lule plot, do të gëzojmë e do të dashurojmë çdo moment të saj.
Do të të nis një letër, ndoshta do duhen dhe disa të tjera.
Do të të shkruaj shpesh.
Do ti ndaj gëzimet në rreshta me ty, do të qesh e do të qaj në të njëjtën kohë, do të të ftoj të më shkruash dhe ti. Ndoshta ti nuk e din se sa bukur dukesh pranë meje, se sa të bukura mi bën minutat e se sa të rëndësishme ma bën ditën.
Ndaj po të nis një letër.
Më shkruaj!
Është një nga ato momentet e ditës kur dua të shkëputem nga koha dhe të rri veç me veten, e të mundem të të mendoj veç ty, të rendis varg fjalët e tua që tingëllojnë si melodia më e ëmbël e dëgjuar nga një piano në fundin e një dite të gjatë e të lodhshme, e në mendjen time të fiksoj një buzëqeshje tënden.
Jam ulur këtu, në një qetësi që ka kohë që se ndiej, e me veten pranoj se sa ndryshe jam kur të mendoj ty.
Ti më ke trazuar shpirtin, siç dallgët trazojnë detin e nxjerrin në breg guacka plot perla të fshehura në thellësi. Ti, si një artist, ke veshur të metat e mia me lule e befas krijove tablonë më të bukur timen, atë që jam për ty.
Ti më ke ndryshuar mënyrën time të të menduarit, më ke bërë të shijoj ndryshe diellin në mëngjes tek më ngroh lehtë, e të rri gjatë pa folur para perëndimit të një shtune për një të dielë të mbushur plot me ty, larg diku, bashkë.
Nuk i druhem më as vetes, kur jam vetëm, e pranë stë kam, kur je larg e sytë sna gjejnë, kur sjemi bashkë. Nuk i druhem më as kohës që na vjedh minutat tona të arta, nuk i druhem më as hënës që të sheh më shpesh, e diellit që të prek më shumë. Me ty në mendime nuk kam frikë të jem vetëm. E ti më je bërë mendimi më i bukur imi.
Është një nga ato momentet ku çdo gjë përreth meje bëhet më e bukur, çdo gjë ngjyroset në ty, e në këto momente ti mi zbukuron mendimet.
I kam dëgjuar me qindra herë fjalët e tua që nga jashtë duken bosh por në thellësi vrasin tepër, të gërryejnë dhe të lënë një boshllëk që arnohet me vështirësi sa herë më duhet të marr frymë e ti them vetes, që vetëm i imi nuk ishte faji!
Ka momente që si për inat më marrin mendjen e nuk dorëzohen pa më përplasur përballë ditëve kur lumturinë e kisha timen dhe e ndaja si e marrë me ty, kur nuk e dija se çdo të thotë të jesh e lodhur, të jesh e sforcuar përballë dikujt për të cilin ishe një strehë plot siguri.
Ti nuk je më ai që ishe, e unë nuk di të jem ndryshe, nuk di ti përshtatem më një Ti-je tjetër.
Ndaj sot të ftoj në heshtje të vish dhe të ulesh përballë meje, të shohësh se si unë nuk jam më ajo e cila të bënte ty të ndiheshe krenar, e krenari sdite të njohësh asnjë grimcë. Të pres të marrësh dhe pak nga ato grimca kujtimesh që koha ka harruar ti hedhë në dyert e harresës e të mjaftohesh me to.
Dua që të vish, për të fundit herë, e të kuptosh se si sot nuk mundem të jem ndryshe përpos vetvetes, si dikush që vlerëson veten më shumë, si dikush që di të dojë po aq sa të deshi ty e zemrën sta kurseu asnjë çast.
Ndaj, kur të vish ulu dhe më shih në sy, mos u mundo të kapësh ndonjë fije emocioni, ato ti kam lënë ty. Do kërkosh te vetja ime për ty, por do gjesh veç hijen tënde të kërrusur.
Ti nuk je më i njëjti, e dikush si ty nuk më drithëron më. Ndërsa unë…unë nuk di të jem ndryshe nga ajo çfarë ndiej, nga ajo çfarë shpirti gjen qetësi, nga ajo çfarë mbroj, nga ajo çfarë jam.
Unë, nuk dua të jem ndryshe!
Ja kam shtruar dhimbjes duart dhe e lashë të më thyente deri në palcë, për ta ndjerë të gjithën sot, që nesër të mos kishte më thërrime të sajat që të vrasin e të falin hidhërim që veç ti mundesh ta shuash.
Ja kam falur fjalët heshtjes që ka kohë që kumbon në veshët e mi si tingull i njē ceremonie që mbaron, pa pritur duartrokitje e lëvdata boshe që ngopin sytë e zbrazin zemra.
Jam e dërrmuar nga ky skenar që çdo natë vret me fjalë të njëjta, e që mbyllet me shfajësime pa arsye tuat, qe mbesin veç shkronja të lexuara me qindra herē nga unë, duke kërkuar përgjigje për fajet e mia.
Të thashë dikur të ikje larg, të mos lije asgjë nga vetja, të merrje valixhe me premtime plot, ti tërhiqje zvarrë bashkë me 1000 ndjenja të miat, që ti fala, e kurrë mbrapsh si mora. Të thashë, që ne jemi më mirë pa njëri-tjetrin, ne jemi vetvetja kur jemi larg, e vritemi nga krenaria e tepërt kur jemi bashkë.
Nuk munda të jem ajo çfarë mendoje ti, e ti nuk munde të pëlqeje aromën e shpirtit tim.
Sot ia shtriva trupin mallit, e lashë të më zhyste thellë, nuk mundesha të nxirrja asnjë fjalë, ku më asgjë skish mbetur. Sot u ndieva dhe njëherë Unë, pa ty pranë.
Me të vërtetë, sot kishe ikur!