Si mundesh të jesh kaq shumë, pa u lodhur aspak, të japësh kaq shumë, pa u menduar dy herë, të falësh paqe kur në shpirt lufton stuhi pafund, të jesh fije drite kur sytë akoma të veshin lotë?
Ti je muzë.
Je si një agim i hershëm shumë, si tokë e pashkelur mëngjesi, si një erë e lehtë, si një diell që nuk duket në horizont por që ngroh ndryshe, ngroh në shpirt, aq sa më deh e ska kthim më pas. Je si një pulitje e shpejtë sysh, që më ndryshon mendimin për jetën, ditën, natën, e çdo gjë merr formë sipas teje, unit tënd, fytyrës tënde, syve e prekjes tënde.
E ti më frymëzon, si një tablo e pastër por shumë e rrëmujshme, si zhurma e preferuar imja e dallgëve të detit natën vonë nëpër errësirën që bën luftë me hënën e verës. Ti je 1000 rreshta që flenë në zemër e në majë të gjuhës grinden e bëhen lëmsh kur ndeshin sytë e tu. Je një melodi që bën zhurmë, një libër që rëndon, e një stuhi që më shtyn drejt resh e më zbret në tokë, ngadalë, pa mi lëshuar duart, për të nisur dhe një herë nga e para çdo gjë, e prapë kjo nuk më lodh.
Nuk kisha dashur askënd si ti, nuk kisha ditur asgjë para se të njihja ty, kisha jetuar me rrjedhën e ditës, e natën, natës i thurja rreshta, pa e ditur që diku merrte frymë frymëzimi im.