Rreshta.

“ Buzëqeshjet i dua fort, sidomos ato që vjedhin të miat”

***

Ti nuk je si unë, as unë nuk jam si ti.

Ne jemi si një rimë poezie, plotësohemi në vargje të ndryshme,

e prapë mbetemi kombinimi më i bukur në togfjalësha.

***

“Ti më lejon të vizitoj dhomat më të ngrohta të zemrës sime, edhe pse të njohura për mua, sërish mi vjedhin faqet e kuqe.”

***

“Rrugët t’i mbusha me lule e plot jargavanë, e prapë ti zgjodhe rrugë të shkelura e plot baltë”

***

Mos eja më shpejt.

Mos nxito!

Është akoma herët,

Pranvera po vonon,

Dimrit nuk ja hap dot sytë.

Dielli i verës më ka djegur çdo hije.

E vjeshta s’më ngjan më.

Vjeshtën që e doja,

Tani duket si të gjitha stinët.

***

Ma shkrep një fotografi…

Në këto sekonda,

ta ruaj nëpër faqet e një libri me kopertinë të bukur,

që se ndaj nga çanta ime.

Në këto sekonda të bukura,

kur fytyra nuk më njeh mërzi,

e sytë janë zhytur në dete kristal,

ma shkrep një fotografi,

e ruaje në sytë e tu si kujtimin më të bukur.

Më kujto gjithmonë kështu,

plot nur e buzagaz,

me qeshjen time të madhe,

më kujto sa herë të kesh nevojë të më shohësh,

të më kesh pranë, e të më mbështjellësh me lumturi!

***

Një Roman.

Çdo gjë përreth tashmë nuk bën më zë,

kudo ka rënë një perde gri,

edhe pemët e thata të këtij dimri të gjatë

rrinë më së miri me atë që dua të shoh,

të ruaj me sy.

Çdo natë e gjej veten me ty,

nëpër rrugë që nuk kanë fund,

çdo natë i njëti avaz,

çdo natë duke shkruar një roman.

Mbete një roman i palexuar

Edhe ti duhet ta dish

Çdo natë më i paftuar bëhesh

Ka kohë që stë lus më të rrish.

***

Me ty nuk dua të fitoj asnjë garë,

as të nis diskutime të lodhshme,

me ty dua të ndjej paqe,

e të shijoj praninë tënde

si një art.

***

Ti je si ndjesia e një shtëpie
me çati, e vogël
por me dritare të mëdha
ku dielli me rreze e përshkon lehtë
në mëngjes e në perëndim
përmes kopështit
plot lule
të gjithave u kam ngjit një emër
i njoh përmendësh po të më pyesje.

Ti të fal ngrohtësinë
fiks të një shtëpie
plot aromë gatimesh
aromë erëzash,
plot dashuri
nëpër qoshe.
Diku një radio e vjetër
muzik e vallëzime nëpër dërrasë
diku një sënduk plot letra
plot ëndrra
plot poezi
plot dëshira
që mbajnë emrin tënd.

Ti je fiks si kjo shtëpi
e vogël por e mbushur plot.

***

Eja,

të fal një vallzim.

Ndihet si shtëpi.

Gjethe që bien dhe aromë toke.

E ndien dhe ti?

***

Mund të më kushtojë shumë;

kohë,

dhimbje të padukshme,

ndonjëherë dhe shumë trishtim,

agoni,

pagjumësi,

por e di 

që një ditë

ti do jesh aty

i duhuri

në kohën e duhur

me mua

siç unë të kam imagjinuar,

për këtë

skam as më të voglin dyshim më!

E deri atëherë 

të jap një premtim;

të pres fort,

vetëm ty tanimë!

***

Tani nuk të kërkoj kudo,

as në rrugicat e vjetra,

ku frymë ndryshe marr,

nuk të kërkoj as nëpër metro,

nëse në stacionin e radhës

do arrij të dalloj fytyrën tënde,

do ishte fat dhe shumë bukur,

por ti nuk je kaq i thjeshtë,

ti nuk je kaq i dukshëm.

 

Tani e di ku fshihesh,

jo mes njerëzve,

duke vrapuar për të më ndeshur,

ah jo, nuk je kaq i rrëmbyeshëm.

 

Tani e di ku je,

larg të gjithëve,

me trup kudo,

por me mendje te unë,

me zemër drejt një të panjohure

por ke një jetë që e njeh.

 

Po të më shohësh

e di që do më dallosh.

Mes njerëzve,

edhe pse në rrugë të vjetra,

mijëra metro

e pafund stacione.