Do të provoj sërish, t’i mbledh lulet me ngjyra të ndryshme, ditës do i ruaj aromën më të hijshme, atë që më shkyç kujtimet buzëmbrëmjeve nëpër muzgun plot fllad, do provoj sërish të ndez yjet nëpër sy, edhe pse të lodhur për të fiksuar një pikë në oqeanin e pafund blu, sërish do zgjohem në mëngjes e do nuhas pranverën që edhe këtë vit nuk harroi të sjell me furi shi e pak diell.
Edhe sot do të dëgjoj pa u lodhur muzikën time të preferuar, do të pi kafen e me të kushedi ç’personazh do më sajojë mendja, kushedi ku do më shpie, nëpër toka plot pemë, ku dielli ndihet mbret ndërmjet degëve të varura që peshojnë. Edhe sot do jem e lirë, pa kufinj.
Edhe një herë do të ëndërroj, për gëzimin që më fal pa u lodhur në shpirt, për siluetën e bukur që i fal fytyrës sime, për ngrohtësinë që më vesh mendimet, për dritën në errësirë, për duart e tua që smë lënë të rrëzohem, për fjalët motivuese.
Do të ëndërroj për ty!
E di që kjo sdo të ndodhë vetëm një herë.
Me ty nuk ka numërim, me ty çdo gjë është si fillimi, i panjohur, mister, plot emocion, e me bukuri që të gozhdon si një pikturë fshehur nëpër qoshet e ndonjë muzeu të lashtë, e të shpie larg.
Me ty sërish do i mbush tryezat e mia me dëshira plot ngjyrë, do ti zbres yjet natën tek pushoj, do të shkruaj, do të gaboj, e do të jetoj, në luftë dhe paqe.
Edhe një herë, me ty njoha shpirtin ndryshe…