Është kaq e pamundur të mos shkruaj për ty, për fjalët që ti si the, për mendimet që i more larg nëpër pluhurat e rrugëve, është e pamundur të mos vij te ty në një moment të tanishëm apo të mëvonshëm. Nuk i besoj më vetes.
Ti ke mbetur po aty, si herën e parë, i pacënuar, i pandryshuar, larg kotësisë së ditëve të mia, larg mërzisë e rrëmujës, rutinës e lodhjes.
Je po aty, ku më njohe, nëpër dhomat më intime të zemrës, aty ku dhe unë harroj të futem, je po në atë qoshk të mendjes që gjen paqe sa herë të kujton, e përreth çdo gjë zbukurohet, merr jetë e ngjyra.
Nuk e di si ja dole por mbetesh udhëtimi më i bukur që zgjedh të bëj çdo natë, vendmbërritja e dëshiruar, ku frikërat e mia marrin fund, dhe pse pas çdo trokitje të padëgjuar sërish preferoj të të shquaj nga larg. Mbetesh rruga më e shkurtër për të prekur ëndrrat, edhe pse ti vetë mbetesh po një ëndërr.
Kudo të jesh, në momentet më të errëta tuat, në ditët më të vështira, në luftërat e pafundme në mendjen tënde, thjesht kujto që dikush diku po të shkruan një letër, për gjithçka fale nga vetja, për kohën, për shpirtin tënd të butë, për fjalët, për forcën, për dhembshurinë, për njeriun e mirë që je.
Kujtohu për të gjitha ndjesitë e bukura që ti dhe.
Ndjesi!