Category: Proze

written by brunildas
May 25, 2021 2

Çdo mëngjes kur kam parë diell, ndër rrezet e para kam menduar si ti, të ishim bashkë. Çdo sekondë të rrugës që e kam përshkruar kam kërkuar gjurmët e tua, kam heshtur për të dëgjuar ndoshta dhe hapat, si ti, për të shtuar disa orë bashkë, mbase dhe dorë shtrënguar. Sa herë kam nuhatur aromën e kafes kam rendur duke mbajtur frymë e me buzëqeshjen në fytyrë të kam gjetur duke më kërkuar në tavolinën tonë të preferuar, si unë.

Fiks si ti dhe unë i kam veshur sytë me ngjyra të qiellit e të maleve dhe kam heshtur për pak qetësi, si tani me ty, pranë meje, në supin tënd, duke u dhënë ngjyrë ditëve të mia.

Nuk kam mundur të të them jo asnjëherë, veç shpirtin e kam lënë të lirë të vijë drejt teje. Ti mbetesh shtëpia ime e preferuar.

Ti më bën të dua me sy mbyllur, edhe atëherë kur dritë ska përreth, edhe kur qielli është me re, e dielli nuk duket gjëkundi. Ti më bën të vallëzoj pa u lodhur, pa mu vrarë këmbët, nëpër vesën e mëngjesit, me erën që rreh lehtë në fytyrë. 

Fjalët janë ndryshe për ty, nuk zënë shumë vend, janë të thjeshta por plot me shpirt midis rreshtave. Me ty jam ndryshe, nuk jam si me asnjë, me ty thjesht jam unë, dikush që kënaqet me pak diell, një copë qiell e plot me ty.

Ashtu si ti.

written by brunildas
March 6, 2020 0

Është një nga ato momentet e ditës kur dua të shkëputem nga koha dhe të rri veç me veten, e të mundem të të mendoj veç ty, të rendis varg fjalët e tua që tingëllojnë si melodia më e ëmbël e dëgjuar nga një piano në fundin e një dite të gjatë e të lodhshme, e në mendjen time të fiksoj një buzëqeshje tënden.

Jam ulur këtu, në një qetësi që ka kohë që se ndiej, e me veten pranoj se sa ndryshe jam kur të mendoj ty.

Ti më ke trazuar shpirtin, siç dallgët trazojnë detin e nxjerrin në breg guacka plot perla të fshehura në thellësi. Ti, si një artist, ke veshur të metat e mia me lule e befas krijove tablonë më të bukur timen, atë që jam për ty.

Ti më ke ndryshuar mënyrën time të të menduarit, më ke bërë të shijoj ndryshe diellin në mëngjes tek më ngroh lehtë, e të rri gjatë pa folur para perëndimit të një shtune për një të dielë të mbushur plot me ty, larg diku, bashkë.

Nuk i druhem më as vetes, kur jam vetëm, e pranë stë kam, kur je larg e sytë sna gjejnë, kur sjemi bashkë. Nuk i druhem më as kohës që na vjedh minutat tona të arta, nuk i druhem më as hënës që të sheh më shpesh, e diellit që të prek më shumë. Me ty në mendime nuk kam frikë të jem vetëm. E ti më je bërë mendimi më i bukur imi.

Është një nga ato momentet ku çdo gjë përreth meje bëhet më e bukur, çdo gjë ngjyroset në ty, e në këto momente ti mi zbukuron mendimet.

written by brunildas
February 13, 2020 0

E mbaj veten për të fortë, por në heshtje jam jo më shumë se një njeri, që ka nevojë të përhumbet në mendime që mezi gjen rrugë për tu kthyer, jam njësoj me ty, që në errësirë kërkon të dorëzosh veten në lotë e supet ti mbështesësh si dëshirë për të hedhur diku peshën e tyre të rëndë.

Unë jam si ti, e fortë, por më shumë kur jam me ty.

U bë kohë që perpiqem të gjej veten diku pa ty, por është e pamundur të mos të të mendoj. U bë kohë që mendimet smë binden, e ashtu tërë kokëfortësi, kalojnë nëpër rrugica plot nuanca lulesh, mbushen plot jetë e më shpien drejt teje, fytyrës tënde.

Përnjëmend kam harruar se si duket një mëngjes plot diell përmes dritares sime, se si duket qielli herët në pranverë e hënës ti flas veç për veten. Me ty pranë, kam ikur larg në mendje, kam ikur larg aty ku askush nuk e prek dot lumturinë e kristaltë, kam ikur larg e kam pikturuar një ëndërr timen që kam kohë që e ruaj si thesar.

Edhe kur nuk të kërkoj, mos harro që unë jam me ty, edhe kur nuk të pres, mos harro që me vete të ruaj gjithmonë, ashtu siç vjedh një rreze dielli për të më ngrohur gjatë në ditët e ftohta.

Jam këtu, në krahun tënd, e nuk di si është të shoh pa ty, nuk e di si është të qesh pa ty, ka kohë që se di si është të jem pa ty!

written by brunildas
January 30, 2020 2

Ka kaluar kohë shumë dhe ato pak fjalë tuat që i mbaj mend tingëllojnë si zhurma e një kasete të vjetër regjistrimi. Ka kaluar kohë e shikimeve tua u është zbehur imazhi në vegimet e mia.

Nuk ka më “mirupafshim” me gjysëm dëshire, nuk ka më biseda të pafundme e shikime pa fjalë të gjata.

Sot isha vetëm unë, me mozaikun e kujtimeve që rëndonin shumë por linin shije të ëmbël në mua, duke hapur rrugë që mendja zor se mund ti kundërshtojë, e ashtu duke u dridhur e lashë veten të vijë te ty.

Ne meritonim të ishim të lumtur!

Kishte dhe shumë mëngjese me diell plot që nuk ishin shijuar siç duhet, kishte akoma pranverë pa prekur me shpirt e perëndime të arta pa pritur me orë të gjata.

E meritoja një biletë me ty, me një ikje pa kthim, drejt lumturisë për të cilën flitet shumë e tentojmë ta prekim sadopak çdo ditë. Kishte premtime pafund në sirtare që prisnin të përmbusheshin por tashmë vetëm pluhuri rëndon në to, e ato vetē e kanë humbur peshën.

Diku, nëpër rrugët e shkelura bashkë do më kujtosh sesi lumturinë e kisha sjell tek ty, se si ti ja kishe hapur krahët e mezi e lije të ikte, diku do mendosh që e meritonim të ecnim gjatë bashkë, të preknim yjet dhe qiellin që e donim shumë ta shihnim nën shi dhe nën ylber.

Nuk kishte kaluar shumë kohë, por koha kishte mbledhur kujtime që rëndonin fort e si për inat mi kishte hedhur para zemrës për të më dëshmuar dhe njëherë se sa shumë kisha dhuruar nga shpirti, sesa shumë kisha pritur nga ty, sesa fjalë ti kisha falur pa menduar e sa kohë vetes i kisha mohuar për të qenë e lumtur.

U gjenda vetëm dhe njëherë, me jetën time që e ruaj si një grusht letrash të thërrmuara në xhep dhe me fjalët që më buçisnin në vesh.

E paskëm merituar pakëz lumturi!

written by brunildas
January 21, 2020 0

Diku të kam parë, tek ecje rrugëve të gjata zhytur në mendime, e me duar në xhepa kërkoje me sy plot lutje pikëmbërritje ku më në fund të pushoje shpirtin e trupin ta lije të prekte qetësinë.

Nuk jemi të huaj. Të njoh mirë.

Edhe kur sytë mi fsheh, e më shmang një shikim të gjatë. Të njoh mirë dhe kur buzëqesh me vështrimin hedhur gjetkë dhe me vendosmëri kërkon të arrish retë e fshehta të qiellit.Unē jam ti, e ti në mua sheh veten!

Dikur rendnim mbas kohës si të marrë, ti vidhnim asaj pak sekonda lumturi e me to të mbushnim zbrazëtirat boshe që vetëm zemrat i njihnin më mirë se unë dhe ti. Rendnim pas rrezeve të diellit për tē ngrohur shpirtin e ditëve të ftohta, qē netēve si një përrallë ti rrēfenim hënës sekretet e zemrës.
Dikur, ne ëndërronim se si një ditë një si ty do njihte një si unë, e një si unë do lutej pafund për dikënd si ty. Mos e harro!

Më shih në sy e më poho që askush si njeh shpirtrat tanë më mirë se unë dhe ti. Që askush nuk i di rrugët tona të pafundme me pritje plot orë.

Nuk jemi të huaj.

Në zemër kam kohë që të ruaj.
Të njoh mirë!

written by brunildas
January 21, 2020 0

Ka rënë errësirë dhe yjet i janë fshehur qiellit, vendin e tyre e kanë zënë re të fryra, të mërzitshme!

Prita shumë ti shihja dhe një herë. Ndoshta gjeja ndonjë buzëqeshje tënden, ndoshta kishe harruar ndonjë mes gjithçkaje që more kur ike pa fjalë!

Ke tërhequr zvarrë fjalë që mezi ja shpreh vetes, fjalë që vështirë thuhen dy herë!

E në këtë dhjetor të ftohtë nuk gjej dot as dëshirat e mia të fshehta!

Mungon vetëm ti këtë dhjetor, që dritave të pemës tua ndiej magjinë e përvitshme, që netëve të gjata të dimrit tua ndiej bukurinë para filmave tonë të preferuar!

Mungon buzëqeshja jote që mbushte çdo qoshk të dhomës, e gëzimi zinte vend ndër fytyrat tona. Ndaj eja, të pres të vish, ashtu si më parë, të ngrohim duart me filxhanët e çajit, të flasim gjatë e të humbim në përqafime plot premtime!

Unë jam këtu, kam mbetur këtu, ajo e njëjta, plot në ty, me zemrën që të ruan fshehtas dhe mbetet në ajër kur dera troket papritur! Unë mbeta përsëri me dëshirat e njëjta, me dëshirat që doja ti ndaja me ty, edhe ti të ndaje tuat me mua! Unë jam këtu, për të të pritur që dhjetori im të bëhet yti, e dëshira e dhjetorit tënd të jem unë!

written by brunildas
January 21, 2020 0

Ndonjëherë më kaplon mërzia e me veten mendoj se si nuk dita kurrë të vjedh tepër nga prania jote pranë meje, se si nuk dita ta mbush zemrën plot dhe për ditët kur pranë stë kisha. E më mjafton kaq pak e të ndihem naive e në të njëjtën kohë e dobët për të mos e lënë zemrën të endet drejt teje.

Nuk e di si e mbush kohën ti, nuk e di sa fjalë i ke hedhur në letër, nuk e di as çfarë mendon tek buzëqesh e gotën e sjell afër vetes! Sonte nuk dua të jem e fortë përballë teje, sonte dua edhe unë, si ty, të më dehin mendimet e fjalēt që me veten i thurim nëpër rreshta e hahemi që ti flakim në zjarrin që si për inat kërcet fort në oxhak.

Sonte nuk dua t’ia di as për lëvizjen e parë në kërcimin tonë të preferuar, sonte po ta lë ty! Sonte nuk kam ndërmend as të flas një fjalë me ty, nuk kam ndërmend të rinis dhe njëherë magjinë që ka filluar të ndihet pak e nga pak!

Le të flasin yjet sonte!

E nëpër melodinë e ndierë në ajër dua të më lësh njëherë të zotëroj kështjellën tënde të mendimeve, të depërtoj ndër shikimin tënd që me sy të pikturoj qiell, dua të më lësh të ndiej se si ndien ti kur më ke pranë, që në shpirtin tim të ruaj diell.

Sonte dua që të mos fshihem as nga hëna e as nga vetja.

Sonte të tē ndiej qenka pak!

written by brunildas
January 21, 2020 0

Në momentet e tua më spontane, kur mendja është kudo dhe gjithçka të ka marrë qetësinë, kur askush nuk ta ka shkitur një fjalë të ëmbël nga goja, kur asnjë buzëqeshje stë ka zbutur akoma fytyrën tënde tënde të bukur, aty ndalo dhe mendo. Diku, është dikush që shpirti yt i fal të bukurën!

Në 1000 sekonda të ditës, kur rrezet të kanë zënë sytë, kur qiellit ja ke vjedhur kaltërsinë e ashtu pa mendje ke fotografuar një perëndim të gjatë, aty më gjej, e më mbaj!

Në mëngjesin tënd të rradhës përpara se ti hedhësh një sy botës përqark, dhe sheqerin ta tretësh lehtë ne filxhanin tënd, kujtohu, se sa diell i fal ti jetës sime. Kujtohu se sa netë më ke përcjellë me mendje e sa netë të mira mi ke uruar me zemër. Kujtohu se sa fjalë plot bukuri mi ke falur nga shpirti.

Për një moment mendo, se sa dritë shpirti yt i fal shpirtit tim, se sa diell e bën mëngjesin tim kur befas më kalon nëpër mendje, se sa peng e mban zemrën kur sytë ngecin në shikime!

Në ditët e tua më mbaj në mendje, si mendimin më të ëmbēl tëndin, si prekjen më të butë të zemrës, si buzëqeshjen e fshehtë që nata ta vjedh në errësirën e saj tek hënën e sheh gjatë!

Mos harro, diku, është dikush që i fal të bukurën shpirtit tënd!

written by brunildas
January 21, 2020 0

Ti je më shumë se 1000 ndjenja të bëra në një!

Ti kapërcen dhe kufijtë e mendimit që zë në mua gjatë ditës sime që gumëzhin nga qindra zëra.

Ti je një fragment i pashoq, që mbush hapësirat më boshe të shpirtit e ashtu si i pafajshëm lë gjurmë për të mbërritur të nesërmen me një pretekst qëndrimi për më gjatë.

Ti je një zgjim i paharruar mëngjesi me diellin që vret ëmbël dhe me aromë pemësh të vjetra që krijojnë tablo të paprekura me sy më parë!

Në një ditë të zakonshme të lodhshme je gjithmonë aty për të më ftuar diku larg zhurmës së ditës. Ti je edhe atëherë kur e mohoj me mendje nisjen diku me ty duke më tërhequr mbas vetes si magnet!

Është e kotë të ikim nga njëri – tjetri, në mos ne rrugën do ta gjejnë zemrat tona, zor se rrinë larg.

Në mbrëmjet e qeta dhe të gjata të vjeshtës sime je kthyer gota e preferuar që e pi me fund, e ajo vetëm mendjen s’ma merr por shpirtin, siç bën gjithmonë!

Në rrugët tona të bukura më të gjata mbetesh kënga e preferuar imja që do ta këndoj gjithmonë me zë të lartë! Edhe kur asgjë të mos ketë mbetur në fund të ditës për tu thënë, ti mos harro, jam gjithmonē aty, me ty pranë, për të mbetur momenti i preferuar i ditës tënde. Në 1000 ndjenja të bëra bashkë ti je shumë më shumë. Ti je thjesht e diela ime plot diell diku shumë larg!

written by brunildas
January 21, 2020 0

E ndiej shpirtin në ajër dhe nuk mbaj mend kur ka qenë hera e fundit që kam frymuar pa mendimin për ty! Nuk di më as se si është të zgjohem pa ty, të ëndërroj pa ty e të mos shkruaj për ty!

E kam zemrën plot për ty, e më thyhet kur stë kam pranë. Më mbaj dhe mos më fal pafund premtime, i merr era, thjesht më shih në sy e aty marr një premtim jetësor, atë të shpirtrave tonë bashkë.

I kam ndezur yjet në zemër e kam shuar çdo dritë tjetër përreth e jam nisur e verbër drej teje. I kapërceva të gjitha muret e zemrës sime dhe të erdha pranë e dorën ta shtrëngova fort! E tu luta, me heshtjen time që flet më tepër se unë, që fal ndjenjë më tepër se çdo poezi, që të më mos më lije të ikja, për asnjë çast, për asnjë ditë, për asnjë jetë.

Më mbaj!

Kam frikë ti shemb kështjellat e mia që i ngrita me ty, ua kam hapur dyert e i kam mbushur plot lule, plot ëndrra. Kam frikë tiua kthej kurrizin e ti lë dhe njëherë vetëm!

Ndaj mos ma lësho dorën. Si tani. Le ta shohim bashkë gjithmonë qiellin, le ta ndiejmë përherë diellin e në shi të kërcejmë këngën tonë!

Më mbaj! Mos më lër vetëm në ajër!