Jo se ti e meritoje, ti nuk do e kishe kuptuar gjithsesi, por nuk dita të mbaj më inat, mërzi, apo hidhërim, nuk doja të të ngjaja ty, ne ishim ndryshe nga njëri -tjetri.
Të lejova të merrje gjithçka që mbeti nga ne, fjalë, kujtime e heshtje. Tashmë janë tuat. Mos harro, tanimë ke më shume se çfarë kishe para se të më njihje.
Unë ika larg.
U bë kohë që më nuk jam spektatore e shfaqjeve tua, e as fshehurazi nuk të ruaj nëse je i lumtur apo ndonjë hije trishtimi të ka prekur fytyrën, u bë kohë që kam ulur perdet e as nuk dua të të shoh e të më shohësh se si çdo ditë aktroj me lumturinë time, buzëqeshjen time.
U enda nëpër rrugët që dikur më zgjate duart, në errësirën e ftohtë, u enda vetëm e me shpirt të lodhur nuk kërkova më asnjë përgjigje për mijëra pikëpyetje që u bënë kryefjalë e mendimeve të mia, nuk doja më asnjë shpjegim, ndoshta ishte më mirë kështu.
U enda me këngët e mia të preferuara për të lënë gjurmë të bukura, e binda veten që grinë që le ti në çdo vend ku kaluam ta fshija, ti jepja dritë, e vetes i riktheva buzëqeshjen.
Të kam falur, ti e di tashmë shumë mirë.
Të fala sepse asnjë mërzi si rrin mirë shpirtit tim, asnjë trishtim nuk ka dhomë në zemrën time. Ti e dije këtë…
Duhet ta dije.