E mban mend, sonte qenka fiks koha që na rrethonte ato netë, kur nuk bënte shumë ftohtë, rruga mbulohej nga gjethet e hëna ndrinte plotë. Besoj të kujtohet edhe melodia e zërave tanë që ngatërrohej lehtë me zhurmat e fundit tek-tuk nëpër qytet.
Unë nuk dua ti shuaj kujtimet, të vetmet të vërteta që mi njeh shpirti. Me to të sjell pranë, fiks si në kohët tona, fiks si në tavolinën tonë të preferuar, aty ku pimë shumë kafe e dolli plot ëndrra ngritëm gjatë.
Dhe ti e kujton, me siguri, unë këtë e di, edhe pse heshtjen kemi ngritur me mure të larta, nëpër ajrin e ftohtë arrij të dëgjoj fjalët e tua, mbeten sërish tingulli më i bukur.
Edhe ti më ruan në kujtime, si dita jote e preferuar, si biseda më e ngrohtë që të ka marrë zemrën, si poezia më e lexuar, si pritja e gjatë që të lodh e prapë nuk shuhet.
Unë nuk di të fshij kujtime, nuk di tu tregoj udhë premtimeve të shpirtit, unë nuk di të shuaj fjalë, e të të largoj nga mendimet.
Je i lirë të vish po munde, të rrëzohemi edhe njëherë e të ngrihemi bashkë, më njëri-tjetrin pranë, të vish në tavolinën tonë të preferuar, e të pimë kafe gjatë.
Ti eja, ashtu siç erdhe në ato kohë. Do të kesh kujt ti rrëfehesh netëve të gjata, do të gjesh një dorë ku të vizatosh hënën e yjet, do të gjesh heshtje që të kupton kur të mos duash të thuash asnjë fjalë e një sup ku të mbështetësh kur do duash të ikësh larg.
Unë nuk dua tu iki kujtimeve, nuk munda tia fal as detit.
Ndaj po munde eja.
U bë kohë që stë kam parë.
I usedd to bbe able to find good information from your blog posts. Portia Cori Aunson