Për fjalët që nuk i thashë.

2 minutes, 5 seconds

Do mbushja faqe plot, do shkruaja poezi, letra, do flisja pa reshtur e pa u lodhur, për ndjesitë e bukura, për emocionet e gdhendura në mendje e zemër, për buzëqeshjet e pafundme, për mrekullitë e bukuritë e jetës, e në fund do ndaloja, në ty nuk do mundja të thoja asgjë, te flisja asnjë shkronjë, në ty do ndaloja e do të të ndiqja sytë, e ashtu e heshtur do të të shikoja gjatë, e me heshtje do të të falja shumë nga unë, shumë nga çfarë nuk munda të të them.

Të pata thënë dikur që kisha veç veten time, një ëndërrimtare me mendje të mbrapshtë, që shumë herë mbushte e zbrazte sirtaret e sërish kthehej e mbushur e tëra në shpresë, për të kapur ndonjë rreze diell edhe në ditët më të ftohta të dhjetorit, për ti dhënë jetës mundësi të më prekte me ëndrra e sërish netëve vonë të shihja gjatë yjet. Të pata thënë që unë nuk mbaj mëri edhe kur zemrën e ndjej të më cikloset dhe zhurmën e shtyp me këmbë, unë sërish fal, për të parë dhe njëherë një buzëqeshje të ngrohtë që vjen drejt meje, fill mbas një zemërimi që vetëm frymë na merr dhe na shmang ëmbëlsinë e kësaj jete. Unë do të të kisha falur shumë herë, e ti sërish do të kishe kërkuar më shumë.

Për fjalët që nuk munda të ti them, falmë. Unë, kokëforta mendova se duke të dashur në mënyrë time do të të mbaja pranë vetes gjatë, e në përjetësi do të ngrinim dolli në çdo natë, kur hënën ta përcillnim bashkë. Falmë që akoma të kam në damarë, e të ndiej edhe kur ndonjëherë frymë marr kur jam me veten, vetëm, edhe kur ti më vjen si një vegim e më turbullon ditën.

Tanimë ndihem e qetë, fundja ne jemi të fatit, e fati ndonjëherë të fal surpriza që ti nuk i mirëpret, e ndonjëherë të merr nga vetja jote gëzimin, lumturinë, por në fund ti mbart në zemër atë që le, kujtimin tënd.

Mund të të kisha folur shumë për atë që ndjej për ty, por ti sërish do kishe kërkuar më tepër.

There is 1 comment .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *