I kam dëgjuar me qindra herë fjalët e tua që nga jashtë duken bosh por në thellësi vrasin tepër, të gërryejnë dhe të lënë një boshllëk që arnohet me vështirësi sa herë më duhet të marr frymë e ti them vetes, që vetëm i imi nuk ishte faji!
Ka momente që si për inat më marrin mendjen e nuk dorëzohen pa më përplasur përballë ditëve kur lumturinë e kisha timen dhe e ndaja si e marrë me ty, kur nuk e dija se çdo të thotë të jesh e lodhur, të jesh e sforcuar përballë dikujt për të cilin ishe një strehë plot siguri.
Ti nuk je më ai që ishe, e unë nuk di të jem ndryshe, nuk di ti përshtatem më një Ti-je tjetër.
Ndaj sot të ftoj në heshtje të vish dhe të ulesh përballë meje, të shohësh se si unë nuk jam më ajo e cila të bënte ty të ndiheshe krenar, e krenari sdite të njohësh asnjë grimcë. Të pres të marrësh dhe pak nga ato grimca kujtimesh që koha ka harruar ti hedhë në dyert e harresës e të mjaftohesh me to.
Dua që të vish, për të fundit herë, e të kuptosh se si sot nuk mundem të jem ndryshe përpos vetvetes, si dikush që vlerëson veten më shumë, si dikush që di të dojë po aq sa të deshi ty e zemrën sta kurseu asnjë çast.
Ndaj, kur të vish ulu dhe më shih në sy, mos u mundo të kapësh ndonjë fije emocioni, ato ti kam lënë ty. Do kërkosh te vetja ime për ty, por do gjesh veç hijen tënde të kërrusur.
Ti nuk je më i njëjti, e dikush si ty nuk më drithëron më. Ndërsa unë…unë nuk di të jem ndryshe nga ajo çfarë ndiej, nga ajo çfarë shpirti gjen qetësi, nga ajo çfarë mbroj, nga ajo çfarë jam.
Unë, nuk dua të jem ndryshe!
👏👏👏👏
Faleminderit 🙂