Ka netë që kanë formuar mbretëri heshtjeje e ti mbret i tyre mbete, vetëm, me veten, duke rendur mbas një fije drite që hëna ta lëshon kur kujtohesh e i hedh sytë përtej dritares drejt qiellit të errët.
Ka netë që të ftojnë e të marrin me të mira, të ulesh në qoshen tënde të preferuar, të çlirosh mendjen, e zemrën ta dëgjosh nëpër zhegun e vapës, sesi lodhjen don ta flakë tutje.
Si unë, edhe ti, ke nevojë vetëm të heshtësh e veç heshtje të dëgjosh nëpër tymin që mbush ajrin plot kujtime.
Ka netë kur don të ikësh larg, nga kjo botë që shkriu akujt, e prapë ftohtë ndjeu zemra.
Ka netë, ku dhe ti njësoj si unē, i prek ëndrrat me sy hapur, e ashtu me droje, qesh e ngutesh ti drejtosh këmbët fort në tokë. E ndien shpirtin të lodhur, e sërish mundesh të qeshësh e të ëndërrosh njësoj sikur dielli nuk perëndoi ansjëherë, sikur dimri nuk ftohu asnjëherë e drita kurrë nuk u zhduk.
Njëjtë dhe unë si ty, ka netë ku trupin dua ta lëshoj nëpër lule plot aromë, të prek me mish vesën, e fryma të më mbush zemrën, e ashtu plot jetë të pres fijen e ngrohtë të një rreze dielli që sy tjetër akoma se ka fotografuar.
Ka ditë kur ti nuk ke se çfarë të thuash, kur fjalëve ua humb rënditjen, kur trishtimin e vesh syve e buzët stë përgjigjen për një buzëqeshje, kur ti me pa durim, pret diellin, ti gëzohesh dritës, të përqafosh shpresën, tê dashurosh jetën, e të falësh zemrën.
Si unë!