Tanimë që nuk je, çdo rrugë, çdo shteg më ngjan me ikjen tënde, ashtu bosh, pa kuptim, pa lajmërim, pa kthim. Çdo rruge nuk ja gjej më fundin, nuk ia shquaj më kthesat e pemët përbri smë ajrosin mendjen si dikur.
Më ndodh ndonjëherë të të pres si dikur, ulur përballë rrugës, e të të shquaj nga larg, më ndodh që me këngët në sfond të luaj kujtimet më të bukura e më të veçanta tonat, edhe pse këmbët më nuk prekin petale, unë sërish vazhdoj të ndiej aromë trëndafilash.
Më ndodh të qesh, të qaj, e me veten të kërkoj përgjigje, të të kuptoj ty, të mendoj si ty, të arsyetoj atë që vepron ti.
Nuk dua më ti zë besë vetes, edhe pse thellë ruaj kujtimet më të bukura, shikimet më të gjata, fjalët më të ëmbla e takimet më të ngrohta. Nuk dua më të të pres. Jam e lodhur të shuaj diellin sa herë ikën e më nuk kthehesh.
Nuk të njoha mirë, ose ndoshta aq doja të njihja dhe unë, të dhashë formë sipas shpirtit tim, krijova me mendje dikënd si unë.
Ti më njeh mirë, prandaj do të vije sërish, do trokisje në derë, do të pinim bashkë kafe, do të shquanim pemët plot sesi era i lëkund e sërish do ikje pa kthim.
Ti më njeh mirë, por këtë herë sdo jetë si çdo herë.
Këtë herë as vetë se di në do të të presë.
Këtë herë sdua të shkel mbi trëndafilë që skanë më erë.