I kam shuar të gjitha dritat, muret i vesha vetëm bardh e zi, këtë herë nuk lejova më shpirtin të të shihte me ngjyrat e tij, këtë herë zgjodha kombinimin tënd të preferuar, që të kuptoj më mirë se si ndihesh tani, tek më kujton nëpër rreshta.
E kam lënë veten të të shohë me një sy tjetër, fjalët e tua ti bëj me rimë edhe pse grimcë melodie ska më në to, por sërish ti mbete njësoj. Ti nuk je më ashtu siç ishe.
Sytë e tu si ngjajnë më fotografisë sime të preferuar, as lëvizjet nuk i ke më të drejtuara drejt meje. Tashmë e di.
E di hapin tënd të radhës, të gjitha fjalët që të fshehin sytë e trembur, të gjitha mendimet që të kanë marrë buzëqeshjen që ma falje vetëm mua, e di çfarë dëgjon kur je vetëm, zërin që të ka zënë mendjen, e di dhe se ku të shkon shpirti në netët e vona.
Ti nuk më habit më.
Unë të njoh mirë, ta njoh çdo rrudhë që të merr fytyra, të njoh çdo ngjyrë që të marrin sytë, çdo dridhje duarsh që mendon se e fsheh mirë. E di që tashmë se gjen lumturinë në mua, as gëzimet si ndan me mua, e di që nuk vrapon për të më ecur pranë.
Ti nuk je më mister.
Unë të njoh më mirë sesa ti njeh veten.
E di që një ditë do rikthehesh aty ku mësove ç’është streha, aty ku nuhate gjithmonë aromë trëndafilash, aty ku harrove që çati kishe qiellin, aty ku shtrive shpirtin e njohe lirinë.
Por ti nuk më njeh mirë.
Një ditë do më kërkosh por nuk e di në mua më gjen.