Të Ruaj!

1 minutes, 15 seconds

Të ruaj si kujtimin më të bukur timin në atë zemër që ndalonte sa herë të shihja. Të ruaj si mendimin e ëmbël që qetëson çdo moment të dëshpëruar timin. Të ruaj ashtu, me kthetra, si e marrë, në atë zemër që dridhet sa herë të mendon. Të ruaj, larg jetës monotone, kësaj bote të zhurmshme që nuk ndalon së intriguari. Të kam mbyllur thellë në zemër, të kam rrethuar me ndjenjat më të bukura dhe më të sigurta, të kam veshur me dashurinë e qënies sime.

Do të të ruaj ty dhe ylberin tënd që e pikturoi ndryshe jetën time. Do ta ruaj kohën tonë, në atë të dobëtën por njëkohësisht të fortën, zemrën time. Diku, vetëm, në ndonjë moment, kur papritur të dëgjoj atë tingull telash të kitares që na shoqëronte çdo agim tonin, do ndjej një dëshirë të të ruaj gjithmonë.

Do ndjej dëshirë të ruaj njerëzit që shikonin dashurinë tonë, do ruaj objektet që më bëjnë të kujtoj ty, do ruaj çdo gjë, tingull, melodi, çdo send, apo njeri që ish dëshmitar i të ngrohtës tonës dashuri! Më beso, të ruaj akoma, në atë sirtarin e ëndrrave të mia, që tashmë është boshatisur që kur ike ti. Të mbaj vetëm ty aty, si një ëndërr që të të ruaj gjithmonë, këtu, pranë ndjenjave, në zemrën time!

There are 0 comments .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *