Sa bukur dukesh!

1 minutes, 47 seconds

Lërmë të të fotografoj me sy në këtë moment, e të të ruaj si një kujtim të artë që nuk harrohet lehtë, lërmë që buzëqeshjen tënde ta ruaj si diellin që e kërkoj çdo ditë nëpër qiellin plot re, zërin si këngën e parë që më vjen ndërmend në mëngjes, lërmë të të ruaj kështu, si tani. Ti, se ke idenë sa bukur dukesh!

Në këtë moment, kur ti gjen prehje te unë, harro gjithë rrugët që ke bërë për të ardhur drejt meje, harro lodhjen nga njerëzit, kur ti gjen njëmijë arsye për të mos ikur, kur mbyll sytë e me dëshirë arratisesh nëpër ëndrra që marrin frymë pranë qënies sime, mos harro, se sa bukur më bën të ndihem.

Në këtë përqafim, kur më fton të lë pas të gjithë dhimbjen, mallin, mendimet, e trishtimet e mia pa emër, lërmë të të dedikoj fjalë që në rreshta si shpreh dot, fjalët që ti kam thënë me sy, e padashur kemi humbur në dete plot thellësi, nga ku nuk kemi dashur të dalim lehtë në breg, lërmë të të ndjej e të pranoj që ti je lutja ime e shprehur me sytë drejt qiellit.

Ruaje këtë përqafim, ashtu siç ruan ditët kur ke gëzuar me shpirt, ruaje siç ruan një këngë për ta dëgjuar disa herë kur je vetëm, siç ruan fjalitë më të bukura që ke lexuar diku.

Pohoje dhe ti, që je i lumtur.

Ashtu si ndjesia që merr pas një ecjeje shplodhëse e të gjatë, si ndjesia e një çaji të ngrohtë buzë detit nëpër muzgun e një dite dimri, ashtu si ndjesia tek sheh një film të preferuar, si qetësia e shpresa që të fal mëngjesi plot diell i të nesërmes.

Ruamë si tani, nëpër sytë e tu, këtu, pranë me njëri-tjetrin. Se ke idenë, se sa bukur dukemi!

There are 0 comments .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *