E meritonim lumturinë!

1 minutes, 48 seconds

Ka kaluar kohë shumë dhe ato pak fjalë tuat që i mbaj mend tingëllojnë si zhurma e një kasete të vjetër regjistrimi. Ka kaluar kohë e shikimeve tua u është zbehur imazhi në vegimet e mia.

Nuk ka më “mirupafshim” me gjysëm dëshire, nuk ka më biseda të pafundme e shikime pa fjalë të gjata.

Sot isha vetëm unë, me mozaikun e kujtimeve që rëndonin shumë por linin shije të ëmbël në mua, duke hapur rrugë që mendja zor se mund ti kundërshtojë, e ashtu duke u dridhur e lashë veten të vijë te ty.

Ne meritonim të ishim të lumtur!

Kishte dhe shumë mëngjese me diell plot që nuk ishin shijuar siç duhet, kishte akoma pranverë pa prekur me shpirt e perëndime të arta pa pritur me orë të gjata.

E meritoja një biletë me ty, me një ikje pa kthim, drejt lumturisë për të cilën flitet shumë e tentojmë ta prekim sadopak çdo ditë. Kishte premtime pafund në sirtare që prisnin të përmbusheshin por tashmë vetëm pluhuri rëndon në to, e ato vetē e kanë humbur peshën.

Diku, nëpër rrugët e shkelura bashkë do më kujtosh sesi lumturinë e kisha sjell tek ty, se si ti ja kishe hapur krahët e mezi e lije të ikte, diku do mendosh që e meritonim të ecnim gjatë bashkë, të preknim yjet dhe qiellin që e donim shumë ta shihnim nën shi dhe nën ylber.

Nuk kishte kaluar shumë kohë, por koha kishte mbledhur kujtime që rëndonin fort e si për inat mi kishte hedhur para zemrës për të më dëshmuar dhe njëherë se sa shumë kisha dhuruar nga shpirti, sesa shumë kisha pritur nga ty, sesa fjalë ti kisha falur pa menduar e sa kohë vetes i kisha mohuar për të qenë e lumtur.

U gjenda vetëm dhe njëherë, me jetën time që e ruaj si një grusht letrash të thërrmuara në xhep dhe me fjalët që më buçisnin në vesh.

E paskëm merituar pakëz lumturi!

There are 2 comments .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *