Ndonjëherë më kaplon mërzia e me veten mendoj se si nuk dita kurrë të vjedh tepër nga prania jote pranë meje, se si nuk dita ta mbush zemrën plot dhe për ditët kur pranë stë kisha. E më mjafton kaq pak e të ndihem naive e në të njëjtën kohë e dobët për të mos e lënë zemrën të endet drejt teje.
Nuk e di si e mbush kohën ti, nuk e di sa fjalë i ke hedhur në letër, nuk e di as çfarë mendon tek buzëqesh e gotën e sjell afër vetes! Sonte nuk dua të jem e fortë përballë teje, sonte dua edhe unë, si ty, të më dehin mendimet e fjalēt që me veten i thurim nëpër rreshta e hahemi që ti flakim në zjarrin që si për inat kërcet fort në oxhak.
Sonte nuk dua t’ia di as për lëvizjen e parë në kërcimin tonë të preferuar, sonte po ta lë ty! Sonte nuk kam ndërmend as të flas një fjalë me ty, nuk kam ndërmend të rinis dhe njëherë magjinë që ka filluar të ndihet pak e nga pak!
Le të flasin yjet sonte!
E nëpër melodinë e ndierë në ajër dua të më lësh njëherë të zotëroj kështjellën tënde të mendimeve, të depërtoj ndër shikimin tënd që me sy të pikturoj qiell, dua të më lësh të ndiej se si ndien ti kur më ke pranë, që në shpirtin tim të ruaj diell.
Sonte dua që të mos fshihem as nga hëna e as nga vetja.
Sonte të tē ndiej qenka pak!