Category: Lirike

written by brunildas
January 21, 2020 0

Se di në të kujtohem unë, ajo që sytë ia hodhe rastësisht dhe si shigjetë u ngjite thellë në mish dhe le gjurmë që rrallë dikush mund të ketë fuqi të tillë në mua…

E mban mend se çfarë ngjyre kishte marrë shikimi im apo thjesht po të pëlqente mënyra sesi shkëlqimi ishte veshur ndër to?

Imagjinatë drithëruese…se di në ishe mjeshtër apo thjesht një palë sy të mistershëm që zhduken në fraksionin e sekondës duke lënë vetëm dëshira e ndjenja sporadike në ajër.

Ti më shtyn të krijoj shtëllunga resh e diell të pashoq që më djeg zemrën nëse mendoj më shumë se ç’duhet. Të shoh dhe mendoj, nuk mundem të të takoj siç dua dhe më mirë se sa në imagjinatën time. E aty ti je mjeshtër i saj, i ndjenjave të mia, vetëm aty mund të lejoj të afrohesh pranë syve të mi, aty të takoj në rrugët e zemrës ato që mi din vetëm mendja ime. Aty jemi vetëm unë dhe ti, dhe askush tjetër, as mendjet tona të mbrapshta që vetëm punë prishin.
Ti mi merr mendimet e i bën vargje këngësh e unë muza jote në një natë të gjatë vere para hënës nën gotën e verës.

Ti më deh. Dhe imagjinata s’është më e imja…

written by brunildas
January 21, 2020 0

Të ruaj si kujtimin më të bukur timin në atë zemër që ndalonte sa herë të shihja. Të ruaj si mendimin e ëmbël që qetëson çdo moment të dëshpëruar timin. Të ruaj ashtu, me kthetra, si e marrë, në atë zemër që dridhet sa herë të mendon. Të ruaj, larg jetës monotone, kësaj bote të zhurmshme që nuk ndalon së intriguari. Të kam mbyllur thellë në zemër, të kam rrethuar me ndjenjat më të bukura dhe më të sigurta, të kam veshur me dashurinë e qënies sime.

Do të të ruaj ty dhe ylberin tënd që e pikturoi ndryshe jetën time. Do ta ruaj kohën tonë, në atë të dobëtën por njëkohësisht të fortën, zemrën time. Diku, vetëm, në ndonjë moment, kur papritur të dëgjoj atë tingull telash të kitares që na shoqëronte çdo agim tonin, do ndjej një dëshirë të të ruaj gjithmonë.

Do ndjej dëshirë të ruaj njerëzit që shikonin dashurinë tonë, do ruaj objektet që më bëjnë të kujtoj ty, do ruaj çdo gjë, tingull, melodi, çdo send, apo njeri që ish dëshmitar i të ngrohtës tonës dashuri! Më beso, të ruaj akoma, në atë sirtarin e ëndrrave të mia, që tashmë është boshatisur që kur ike ti. Të mbaj vetëm ty aty, si një ëndërr që të të ruaj gjithmonë, këtu, pranë ndjenjave, në zemrën time!

written by brunildas
January 20, 2020 0

Nuk do i kisha besuar kurrë romanet e bukura të mbushura plot ndjenjë që të vërshonin zemrën dhe mendjen ta bënin kështjellë ëndrrash shpirti, po të mos kisha takuar ty. Se di nëse do kisha jetuar me ato ëndrra apo do vazhdoja të lexoja akoma më shumë të tilla histori për të ndjerë magjinë e ndjenjave të ëmbla.
Ti më thua bashkë në 1000 jetë, por unë vazhdoj e mendoj se kam jetuar edhe 1000 të tjera ku nuk ishe ti, por pranë me ty. Edhe kohën po ta ndaloja, përsëri nuk do të donin të shkëputeshin shikimet tona, që flasin gjithmonë, bashkë apo jo, e ndjejmë të dy. Kemi skalitur bukur vështrimet në zemrat tona, zor se na lënë rehat kur sjemi pranë. Edhe rrugët ndihen të vlerësuara nga vajtje – ardhjet tona të shpeshta e të ëmbla. Kurse rrugicat të mbushura me mall të pashuar për të dëgjuar buzëqeshjet e pafundme në orët e vona.
Ti më thua bashkë do jemi gjithmonë. Unë mendoj përsëri se kemi qënë dhe pa u bërë nji. Në ëndrrat tona, në mendimet tona, në lutjet tona, në zemrat tona. Udhëtimi ishte i gjatë por në fund u bëmë bashkë. E dija që do vije ashtu siç erdhe, si gjumi i një dite të lodhshme që të qetëson mendjen nga zhurmat, si ëndrra e një nate vere që të shuan etjen në zemër, si melodia e pianos që të vjedh buzëqeshjen e shpirtit, si aromat e pranverës që të mrekullojnë jetën.
Se di si do vazhdoja të jetoja pa ty, se di si do i shembja e do i rindërtoja dhe një herë kështjellat e pafundme të ëndrrave të mia po të mos kisha njohur ty. Por, tani di që paskemi qënë në 1000 jetë unë dhe ti!

written by brunildas
January 20, 2020 2

Asnjëherë s’më ka pëlqyer e zakonshmja. Ajo që rëndom shihej në rrugët e qytetit tim të bukur.

E di… unë nuk jam si e zakonshmja, që kënaqet me një dhuratë luksi, apo me një kompliment të dëgjuar kushedi sa herë. Imagjinata është mikesha ime më e mirë, imagjinata e pastër, e bukur, ajo imagjinatë e shpresave dhe ëndrrave me këmbë në tokë. Ushqimi i shpirtit tim dhe produkti i tij është buzëqeshja, e pamarrë njësoj në këmbim por që e fal me gjithë qënien time çdo herë…kur shoh një zambak, kur shoh një buzëqeshje, kur shoh fytyrën e nënës sime, apo kur ndjej përkëdheljen e duarve të të shtrenjtit babait tim.

Unë s’jam si e zakonshmja!

Qesh me shpirt dhe jo me të tjerët. Qesh sepse e ndjej. Fal ndjenjë në çdo fjalë timen që e shpreh veçse kur e ndjej. E di…jam pak e marrë, për ty, për të tjerët, e di…

Por, unë jetoj për ëndrra, për sukses, jetoj për vepra të mira, që nëse do më pyesnin përse? Do thoja veç: Faleminderit Zot që më ke falur kështu!

E di? Ti që vjen në jetën time, mundohu të pajisesh mirë para se të vish!

Vish një buzëqeshje të madhe në fytyrë! Vish një shkëlqim që të të shoqërojë sa herë të më shohësh. Vish një armatur ndjenjash të shpirtit. Vishe zemrën me mirësi.

Grumbullo shumë rezerva fjalësh të ngrohta sa që edhe dimrin mos ta ndjej.

Mendohu para se të vish. Jam e marrë…e di…para vetes nuk më dhimbset njeri…kështjellën time të ëndrrave e hap vetëm ai njeri…që më bëhet ëndërr vetë!

E zbuloj zemrën vetëm për atë që e njeh pa e parë. E jap zemrën për atë njeri që jetës sime i fal më shumë magji se sa ja fal vetë.

Të lutem, mos më shaj! E di…jam pak e marrë, por nëse lodhesh nga imagjinata ime, mos pretendo të thuash se e marra jam unë!