Edhe pak!

1 minutes, 7 seconds

Lejomë!

Sa të mbushem me frymë, të mbyll dritaren e të ul perden, të shuaj dritat, çdo melodi, të mësoj si është errësira, të njoh heshtjen e ftohtë, egon kokëforte, të zhdukem pa bërë zhurmë!

Edhe pak…

Sa të futem dhe unë në rol, të kap ritmin tënd, të eci sipas frekuencës të shpirtit tënd, të mendoj siç bën ti, të pikturoj të zezën mbi ngjyra, të qesh, të luaj e të mbys ndjesitë, ti lëshoj në greminë, në thellësi të errëta.

Më prit, sepse atëherë mbase e kupton dhe ti sa e lehtë është të bëhesh si ti, që të mirën e zbeh me hije, afërsinë me largësi të kotë, mirësinë me krenari, e ndjenjat me frymë boshe!

Pritëm, se mbase një ditë sheh te unë pasqyrën tënde, atë që kërkon ti, një tablo rrëmuje, pa emocion, pa ngjyrë, një rrugë pa krye, një ftohtësi, një boshllëk.

Më beso, duhet të jetë e lehtë.

Të largohem sapo afrohesh…

Të bërtas kur flet bukur…

Të luaj kur ti ndjen…

Të mos njoh mirësinë kur ti e flet me sy…

Të hesht kur ti hap zemrën…

Të shkel kur ti dhuron ndjenjën…

Sa e lehtë…të jesh ti!

There are 0 comments .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *