Tag: Enderr

written by brunildas
January 21, 2020 0

Ka rënë errësirë dhe yjet i janë fshehur qiellit, vendin e tyre e kanë zënë re të fryra, të mërzitshme!

Prita shumë ti shihja dhe një herë. Ndoshta gjeja ndonjë buzëqeshje tënden, ndoshta kishe harruar ndonjë mes gjithçkaje që more kur ike pa fjalë!

Ke tërhequr zvarrë fjalë që mezi ja shpreh vetes, fjalë që vështirë thuhen dy herë!

E në këtë dhjetor të ftohtë nuk gjej dot as dëshirat e mia të fshehta!

Mungon vetëm ti këtë dhjetor, që dritave të pemës tua ndiej magjinë e përvitshme, që netëve të gjata të dimrit tua ndiej bukurinë para filmave tonë të preferuar!

Mungon buzëqeshja jote që mbushte çdo qoshk të dhomës, e gëzimi zinte vend ndër fytyrat tona. Ndaj eja, të pres të vish, ashtu si më parë, të ngrohim duart me filxhanët e çajit, të flasim gjatë e të humbim në përqafime plot premtime!

Unë jam këtu, kam mbetur këtu, ajo e njëjta, plot në ty, me zemrën që të ruan fshehtas dhe mbetet në ajër kur dera troket papritur! Unë mbeta përsëri me dëshirat e njëjta, me dëshirat që doja ti ndaja me ty, edhe ti të ndaje tuat me mua! Unë jam këtu, për të të pritur që dhjetori im të bëhet yti, e dëshira e dhjetorit tënd të jem unë!

written by brunildas
January 20, 2020 2

Asnjëherë s’më ka pëlqyer e zakonshmja. Ajo që rëndom shihej në rrugët e qytetit tim të bukur.

E di… unë nuk jam si e zakonshmja, që kënaqet me një dhuratë luksi, apo me një kompliment të dëgjuar kushedi sa herë. Imagjinata është mikesha ime më e mirë, imagjinata e pastër, e bukur, ajo imagjinatë e shpresave dhe ëndrrave me këmbë në tokë. Ushqimi i shpirtit tim dhe produkti i tij është buzëqeshja, e pamarrë njësoj në këmbim por që e fal me gjithë qënien time çdo herë…kur shoh një zambak, kur shoh një buzëqeshje, kur shoh fytyrën e nënës sime, apo kur ndjej përkëdheljen e duarve të të shtrenjtit babait tim.

Unë s’jam si e zakonshmja!

Qesh me shpirt dhe jo me të tjerët. Qesh sepse e ndjej. Fal ndjenjë në çdo fjalë timen që e shpreh veçse kur e ndjej. E di…jam pak e marrë, për ty, për të tjerët, e di…

Por, unë jetoj për ëndrra, për sukses, jetoj për vepra të mira, që nëse do më pyesnin përse? Do thoja veç: Faleminderit Zot që më ke falur kështu!

E di? Ti që vjen në jetën time, mundohu të pajisesh mirë para se të vish!

Vish një buzëqeshje të madhe në fytyrë! Vish një shkëlqim që të të shoqërojë sa herë të më shohësh. Vish një armatur ndjenjash të shpirtit. Vishe zemrën me mirësi.

Grumbullo shumë rezerva fjalësh të ngrohta sa që edhe dimrin mos ta ndjej.

Mendohu para se të vish. Jam e marrë…e di…para vetes nuk më dhimbset njeri…kështjellën time të ëndrrave e hap vetëm ai njeri…që më bëhet ëndërr vetë!

E zbuloj zemrën vetëm për atë që e njeh pa e parë. E jap zemrën për atë njeri që jetës sime i fal më shumë magji se sa ja fal vetë.

Të lutem, mos më shaj! E di…jam pak e marrë, por nëse lodhesh nga imagjinata ime, mos pretendo të thuash se e marra jam unë!