Ne vimë nga yje të ndryshëm!

1 minutes, 35 seconds

U shembën të gjitha portat e muret që u deshën të vije te unë, i premtoja vetes dhe ty diell çdo ditë edhe kur qielli vuante për grinë që po vinte drejt nesh, drejt ditëve plot dritë, plot buzëqeshje e plot lumturi. E lashë veten të vinte te ty, u pamë gjatë në sy, zbukuruam heshtjet tona, gjetëm vetën në shikime, ndërtuam rrugët e muret tona, e ndamë veten nga të gjithë.

Nën ritmin më të bukur të kohës, më fale ylber në qiellin tim të mbushur plot lutje, nën fjalët më të bukura më fale kohë dhe lulet u çelën nëpër damarë, isha unë që zgjodha ti ujis ato me shpresë e ndjenja për ty.

Harruam çdo gjë dhe kohën e mbajtëm pezull, ngrimë çdokënd, si fanatikë të njëri – tjetrit, mbytëm zemrat në një, harruam ti përkisnim vetes. I ndërtova rrugët për te ty, për te ne, me lule plot, të ftova në kopshtet e mia, ku veç pemë, qiell e rreze dielli kishte, të lashë të merrje nga unë, kohë, sy, duar, përqafime, rrëmujë, qetësi e zhurmë.

Unë nuk mbaj mëri, të mendoj dhe qesh, thellë në shpirt të kam liruar nga çdo grimcë mërzie që më fale, që le kur ike, unë nuk di të urrej. Thellë në vete jam e diellit, e qiellit, jam e kujtimeve të bukura, që në shpirt skalisin një buzëqeshje të madhe, atë që e fal me sy mbyllur, si tani. Kujtomë dhe ti kështu, qeshjen time të madhe, duart e mia të ngrohta, shikimet me lot, e sytë me lumturi.

Edhe sikur të pranonim shkëlqimin e njëri tjetrit, ne prapë do zgjidhnim të shkëlqenim më vete.

Ne vinim nga yje të ndryshëm.

There are 0 comments .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *